18/08/2020

Mjeshtri legjendar i kinemasë Stanley Kubrick rrallë ka dhënë intervista. Kubrick e ka ruajtur shkëlqyeshëm privatësinë e tij, duke synuar që klasikët e tij filmik si PATHS OF GLORY (1957), 2001: A SPACE ODYSSEY (1968), THE SHINING (1980) dhe FULL METAL JACKET (1987) të flasin vetë. Megjithatë Kubrick është një prej regjisorëve filmat e të cilit ishin tejet të popullarizuar në kohën e publikimit por edhe tani me të drejtë konsiderohen art.

Për dokumentarin, KUBRICK BY KUBRICK, regjisori Gregory Monro ka siguruar katër audio intervista të rralla që Kubrick i ka dhënë në mënyrë ekskluzive për redaktorin e revistës kryesore të filmit në Francë, Positif. Dokumentari fascinues i Monros është një shfaqje e lehtë në jetën dhe mendjen e vizionarit Kubrick i cili ia doli të krijojë vetëm 13 filma të gjatë në 46 vjet; 13 filma që kanë lënë vulë në standardin filmik, të debatuar dhe analizuar pafundësisht, dhe në imagjinatën e flaktë të kineastëve në mbarë botën.

Perfeksionisti Kubrick shpesh ka shpenzuar gjysmë dekade në para-produksion duke gjetur së pari materialin e duhur në libra pastaj duke ndërtuar një univers të tërë në një skenë zanore apo studio para se t’i vinte aktorët në xhirimet rraskapitëse. Ky proces përgatitor obsesiv ndonjëherë rezultonte me projekte legjendare që do ekzistojnë vetëm në ëndrrat tona drithëruese (Jack Nicholson si Napoleoni) apo përfundimisht janë bërë nga regjisorë tjerë (A.I. i Steven Spielberg).

Monro e nënvizon pikërisht këtë proces në intervista me aktorin Sterling Hayden i cili kujton se si regjisori përdorte ankthin e tij në skenë për të nxjerrë një performancë të llahtarshme në DR. STRANGELOVE (1964). Por në anën tjetër të spektrit, kompozitori Leondard Rosenman e sulmoi fizikisht Kubrickun pasi regjisori i kishte kërkuar 105 incizime për një pjesë të vetme të muzikës në BARRY LYNDON (1975) (Rosenman është akoma i bindur se incizimi i dytë ishte më i miri).

Megjithatë, siç edhe e shfaq diskutimi i incizuar i Ciment, Kubrick paraqitet të jetë i thjeshtë, i fortë dhe gjithmonë i saktë teksa reflekton për procesin e tij krijues. Edhe pse KUBRICK BY KUBRICK nuk mund të çajë mitin e rëndë të filmbërësit i cili vdiq më 1999 pak para se të publikohej filmi i tij i fundit EYES WIDE SHUT, Monro ofron një përgjim festiv në jetën e punës së mjeshtrit pedant imazhet gjallëruese të të cilit vazhdojnë të ngjallin drithërima.

Thomas Logoreci