12/08/2022

Misioni i filmave dokumentarë, përveç të treguarit të një ngjarjeje, konteksti apo plage të një shoqërie është patjetër të ndikojë tek audienca me shpresën se në mënyrë graduale ndoshta do të bëjë një ndryshim. Ndikimi i këtyre filmave ishte tematika e diskutimit të kësaj të enjteje në “DokuTalks”. Një panel i moderuar nga Dea Gjinovci dhe i përbërë nga Brigid O'Shea, Rich Felgate dhe Ilir Hasanaj të cilit iu bashkua edhe Eroll Bilibani. Diskutuesit nisur nga eksperienca e tyre individuale sollën në vëmendje të publikut raste të ndikimit të këtyre filmave dhe u përpoqën të gjenin zgjidhje se si këta filma do të jenë në një të ardhme më shumë ndikues tek shoqëritë në të cilat jetojmë. 
“Mendoj se është një kohë e vështirë për filmbërësit e filmave dokumentarë. Në rastin tim është gazmore sepse unë kam shkuar në shkollë arti dhe kam mësuar art dhe tashmë jam në aktivizëm dhe e shoh këtë me kritikë, sepse këta njerëz vijnë nga unë kam ardhur dhe nëse njerëzit e tjerë kanë pikëpamjet e mia atëherë diçka do të ndryshonte. Kjo është një kohë shumë interesante për të jetuar sepse impakti që mund të lësh tashmë është më i madh. Filmbërja kërkon një fshat të tërë, nuk është diçka që mund ta bësh vetëm ndaj është e rëndësishme të punosh me njerëzit e duhur. Unë nuk dua të gjykoj platformat si tik- tok teatër dhe të tjera si këto. Janë patjetër në rregull, por nëse do të lësh një impakt dhe do ta çosh filmin tënd për shembull në Parlamentin Europian të duhet një fshat i tërë njerëzish, nuk është diçka që një person i vetëm mund ta bëjë”, u shpreh Heleen Gerritsen në fjalën e saj. 
Ndërsa filmbërësi Ilir Hasanaj ndau për të pranishmit eksperiencën e tij gjatë xhirimit të filmit. 
“Është interesante kur ke një karakter dhe të duhet ta dish se si dokumentari yt ndikon më vonë jetën e karakterit dhe sidomos kur flasim për karaktere të komunitetit LGBT, kur ekspozohet ky komunitet dhe sidomos në një vend ku 90% e njerëzve janë myslimanë. Ky komunitet ka një histori tejet të rëndësishme të cilën ndonjëherë kam hezituar t’i përdor sepse kjo do të rrezikonte jetët e tyre. Kisha një karakter që ishte pjesë e filmit dhe më vonë u largua, gjë që ishte vërtet në rregull sepse mbase unë vërtet nuk mund ta kuptoja nga perspektiva ime se në çfarë vendi ishin dhe çfarë rrezikonin. Sa herë që ti sjell një temë të caktuar duhet të kesh parasysh se cilit komunitet do t’ia prezantosh. Gjithashtu mu desh që gjatë filmit të prisja dhe të fshihja disa skena dhe detaje të caktuara sepse jo të gjithë mund dhe duhet të shihnin se ku këto personazhe jetonin apo punonin. Duke qenë se kemi të bëjmë me DokuFest ku audienca është më specifike e solla, por do të më duhet ta shoh se ku ky film do të shkojë më vonë dhe se ku do ta prezantoj”. 
Diskutimi i kësaj të enjteje i la vendin një morie pyetjesh nga të pranishmit të cilët nuk hezituan të jepnin edhe këshilla lidhur me filmbërjen.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Kushtrim Haxha