22/08/2020

Në bashkëpunim me Kurzfilm Festival Hamburg, Zitroni dhe Sven Schwarz u bënë bashkë më 21 gusht për të transmetuar disa tinguj të festivalit nga Hamburg drejt e në Prizren, dhe sigurisht më pas në mbarë botën.

Duke transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Slot, një nga klubet më të njohura të natës në Hamburg, dyshja ka magjepsur audiencën për gjatë një orë ndërsa shenja “On Air” dallohej në sfond. Si e njëjta shenjë që po ndriçon Kalanë e Prizrenit në momentin që po flasim, kjo është prova e pamohueshme që përkundër rregullave, muzika nuk ka nevojë për pasaportë për të udhëtuar. Siç u premtua paraprakisht, Zitroni dhe Sven Schwarz si miqtë e vjetër të DokuFest, jo vetëm që sollën në skenë tingujt shumë të nevojshëm çlirues, por sollën gjithashtu një makinë të madhe mjegulle dhe dritat e zbehta të diskos, të cilat në mënyrë paradoksale ndezën çdo ambient, duke përfshirë dhe atë virtualin.

Në këtë performancë krah-më-krah, ajo që ndjehej si një thirrje e largët e dëshirës së tanishme për të përjetuar ndjesitë e jetës së klubeve, ishte më shumë një kujtesë për të gjitha gjërat që kemi humbur dhe kemi fituar që nga fillimi i pandemisë. Duke imituar sferën elektronike si asnjë Sonic Transmission tjetër më parë, performanca e së premtes ishte gjithashtu një kujtesë për nevojën e pashmangshme për lidhje njerëzore, dhe pa diskutim një kartolinë e ëmbël “shihemi së shpejti!” nga Hamburgu në Prizren dhe mbrapa.

Nga Enxhi Noni