15/08/2021

Festivali i filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest ka përmbyllur edicionin e 20-të duke tejkaluar të gjitha pritjet e ekipit organizativ. I përgatitur në një atmosferë paqartësie shkaku i pandemisë, megjithatë edhe ky edicion është shquar për programin e pasur të filmave, shfaqjet muzikore, diskutimet, punëtoritë si dhe ekspozitat. Ndërkohë takimi i sërishëm me audiencën dhe filmbërësit e shumtë ka qenë emocioni kryesor për drejtuesit e festivalit. 

“Rikthimi në kinematë bashkë me publikun, si dhe me prezencën e filmbërësve, ka qenë gëzimi më i madh i këtyre ditëve, kur i kemi parasysh të gjitha vështirësitë për organizimin e këtij edicioni në kushte të pandemisë”, thotë drejtoresha ekzekutive e DokuFest, Linda Llulla-Gashi. Sipas saj, edicioni i 20-të do të mbetet një përvojë e paharruar, me që do të mundësojë reflektimin për të nesërmen dhe rifillimin e jetës pavarësisht të gjitha vështirësive. 

Drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari shprehet shumë i kënaqur me mbarëvajtjen e këtij edicioni dhe angazhimin e ekipit të madh për ta rikthyer festivalin në formatin çfarë ka qenë, sikurse edhe me interesimin e jashtëzakonshëm të publikut që ka shkuar përtej pritjeve. 

“Është një edicion që i ka tejkaluar pritjet tona”, thotë Nurkollari. Sipas tij, para mbajtjes së festivalit, pritjet nuk kanë qenë të mëdha shkaku i paqartësive të shumta që derivojnë nga kushtet në periudhë pandemie.  

“Jemi të befasuar për të mirë me interesimin e jashtëzakonshëm të publikut. Por edhe me numrin e filmbërësve dhe vizitorëve sidomos nga jashtë. Kemi pasur numër të konsiderueshëm të filmbërësve që kanë udhëtar nga ShBA-të, nga Evropa. Kemi rikthyer partnerin tonë Balkan Documentary Center për punëtorinë dhe Forumin prezantues me komplet pjesëmarrësit dhe tutorët nga e gjithë Evropa. Forumet e ngjashme ende janë duke u mbajtur online për shkak të situatës; prandaj shkëmbimet kanë qenë mjaft të mira gjithnjë duke marrë parasysh situatën me pandeminë. Është një befasi e këndshme që shumë njerëz kanë ardhur në Prizren”, deklaron Nurkollari.  

Sipas tij, në këtë edicion, për arsye të mbrojtjes së shëndetit të publikut nuk është organizuar DokuNights, pasi që hapësira ku mbahet ky program nuk ka mundësuar respektimin e distancën sociale. Por për sivjet DokuNights është modifikuar në Sonic Nights. “Prandaj kemi vendos që një skenë ta vendosim në Kala, ku hapësira është më e madhe, me distancë të rregulluar dhe me dy vikende me përmbajtje muzikore, që mendoj se ka qenë një zgjidhje e pranueshme, që i ka lënë mbresa edhe publikut”, thotë Nurkollari. 

Edhe përzgjedhësi i programit të filmave të shkurtër dhe atyre kombëtar, Samir Karahoda konsideron se ky edicion ka qenë shumë më i mirë në raport me pritjet, derisa pjesëmarrjen e cilëson tejet të kënaqshme në të gjitha aktivitet e realizuara për audiencën, me ç’rast komentet e tyre dhe të mysafirëve nga jashtë kanë qenë pozitive. “Ndërsa në nivelin personal, një gjë që nuk do ta harroj është premiera e filmit tonë ‘Pa vend’. Mund të them që premiera në DokuFest ka qenë më emocionuese se ajo në Cannes, për faktin që u shfaq para protagonistëve dhe një numri të madh të adhuruesve të filmit, ku reagimi i publikut më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme”, shprehet Karahoda. 

Producentja e festivalit, Alba Çakalli pohon se pavarësisht sfidave të shumta gjatë planifikimit, megjithatë “edicioni jubilar mund të vlerësohet si një edicion tejet unik dhe i suksesshëm i DokuFest”. 

“Ky edicion do të mbahet mend për programin e pasur të filmave, muzikës, diskutimeve, punëtorive e ekspozitave. Por më së shumti do të mbahet në mend për magjinë që ia sjell Prizrenit gjatë 9 ditëve të muajit gusht. Ne jemi shumë të lumtur që arritëm me u ribashkua me audiencën tonë besnike për me e përjetua sërish gjallërinë e qytetit, që na pati munguar shumë vitin e kaluar”, shprehet Çakalli. 

 

Pas përmbylljes së edicionit jubilar, drejtori artistik Veton Nurkollari tregon se pasojnë përgatitjet për edicionin e radhës për të sjellë befasi të reja për publikun, sikurse edhe përmirësime të mëtejme në aspektin teknik. “Sytë i kemi tani në vitin e ardhshëm, kur shpresojmë që situata të jetë normale dhe rikthimi të jetë vërtet si duhet dhe ne ta organizojmë festivalin në formën që jemi mësuar, në mënyrë që edhe numri i publikut të jetë edhe më i madh”, përfundon Nurkollari.