15/08/2020

Në larminë e kategorive dhe programeve me filma e dokumentarë të përgatitur online përgjatë këtij viti për publikun, bën pjesë dhe kategoria EFA Shorts. “European Film Awards” janë mbajtur çdo vit që prej vitit 1988 nga Akademia Evropiane e Filmit dhe kanë shërbyer për të njohur arritjet dhe për të vlerësuar kineastët që i japin jetë kinematografisë evropiane. Çmimet janë të ndara në kategori të ndryshme, të cilat janë të kufizuara në kinemanë evropiane dhe rrjedhimisht garojnë mes tyre producentë, regjisorë dhe aktorë evropianë. Ceremonia e fundit e dhënies së çmimeve Evropiane të Filmit u mbajt më 7 dhjetor 2019, në Berlin.

Një ndër kategoritë e filmave në garë për çdo vit, është edhe “Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër”.
DokuFest ka përzgjedhur 15 filma të cilët kanë qenë të nominuar në këtë kategori për ti sjellë pranë publikut nga data 15 deri më 25 gusht, përkatësisht do të transmetojë përzgjedhjen e filmave të nominuar për çmimin EFA “Filmi më i Mirë i Shkurtër” në vitin 2019.

Temat që trajtohen në këto filma të shkurtër janë tejet të larmishme. Janë tema që prekin në gjithë dimensionet e tyre jetën dhe kulturën shumëdimensionale brenda një kontinenti të vogël, si Evropa. Këta filma të shkurtër adresojnë tema e situata të prekshme, nga jeta e përditshme jo vetëm në kontekstin europian, por dhe mbarëbotëror, nga Danimarka në Turqi, nga Franca në Palestinë. Filmat shqyrtojnë problematika sociale, kulturore, politike e ekonomike të rruzullit tonë, të para nga këndvështrimi personal i kineastëve europianë. Filma të cilët nuk flasin vetëm për kohët tona, por dhe të shkuarën, filma që të bëjnë të përjetosh një udhëtim në kohë e fantazi, duke lënë pas mesazhe të forta, ndonëse në vetëm pak minuta tregim.

Të 15 filmat mund të ndiqen në platformën e DokuFest online, prej datës 15 gusht deri më datën 25 gusht, falas. Për t’i ndjekur mjafton të regjistroheni si përdorues në faqen https://online.dokufest.com/ dhe të përzgjidhni për të shikuar paketën “EFA Shorts” dhe t’i dhuroni vetes një rrugëtim disa minutësh kudo që tematika e filmit të përzgjedhur do ju çojë. Rrugëtim të këndshëm!

Nga Anisa Gjini