10/08/2022

“Serendipity” është fjala me të cilën anglishtfolësit i referohen të gjeturit të diçkaje të mirë pa qenë duke e kërkuar. Në fakt duke u bërë pjesë e “DokuFest” publiku me shumë gjasë tashmë e di që po kërkon filma të mirë, diskutime dhe një sërë aktivitetesh, por kur të gjitha këtyre u bashkohet edhe muzika, eksperienca është vërtetë për t’u mbajtur mend. 
Njësoj si mbrëmja e kësaj të marte në oborrin e “Kinema Lumbardhi” në të cilën tingujt muzikorë pushtuan çdo hapësirë. Ishte këngëtarja Edona Vatoci, e cila me vokalin e saj potent dhe në të njëjtën kohë engjëllor drithëroi trupat përreth. E shoqëruar nga banda “This is not” përgjatë rreth 2 orëve këta artistë i dhanë oborrit shpirt nga shpirti i tyre prej artistësh. 
Këngëtarja Edona Vatoci e dalë nga një talent show së bashku me grupin performuan muzikë avangarde shoqëruar hera herës nga ritme të njohura për veshin e gjithësecilit dhe të përjetueshme nga cilido i pranishëm. Një moment tejet i veçantë i mbrëmjes ishte edhe prania në skenë e këngëtarit Shpat Deda që së bashku me Edonën performuan duke krijuar kështu një dyshe fantastike artistësh dhe mund të konsiderohet fat ti dëgjosh në këso lloj konteksti. 
Aspekti vizual, dritat dhe motivet e tjera që shoqëruan koncertin ishin natyrisht një tjetër veçanti që përcolli natën e cila zgjati e më pas vijoi me muzikë elektronike alternative, për të mos e ndalur festën vetëm tek performance e Edonës dhe “This is not”. 
Promovimi dhe bashkëpunimi me artistë kombëtarë në një festival ndërkombëtar filmi është patjetër një tjetër kënaqësi e “DokuFest” që një ndër qëllimet e tij ka të ndajë me të pranishmit dhe audiencën copëza nga identiteti dhe specifika e një vendi me kaq shumë larmishmëri kulturash. Ishte fare e lehtë të vije re tek të pranishmit vendas kënaqësinë dhe krenarinë e të dëgjuarit në skenën e “DokuNights” artistë të cilët ata i njohin, ndërsa tek mysafirët e huaj dallohej kureshtja për të zbuluar surprizat dhe misterin e asaj që skena do t’u ofronte.

Fotografia: Xiaofu Wang