07/08/2021

Paqartësitë e shumta si rrjedhojë e pandemisë që po vazhdon kanë krijuar rrethana të reja për organizimin e edicionit të 20-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër, DokuFest. Për dallim prej vitit të kaluar, kur festivali shkaku i masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së koronavirusit u bart në sferën online, sivjet me lehtësimin e tyre, vjen me edicionin hibrid, me c’rast pjesa më e madhe e programit do të realizohet me praninë fizike të audiencës dhe mysafirëve të festivalit.

Producentja e Festivalit, Alba Çakalli pohon se kjo situatë ka ndikuar si në aspektin organizativ ashtu edhe në atë artistik të festivalit, prandaj dhe pas shumë diskutimesh e përgatitjesh, është vendosur që tema e festivalit këtë vit ti ketë tre fjalë: Re:set Re:mix Re:act.

“Tema e festivalit këtë vit përmban tre fjalë: Re:set Re:mix Re:act, me një nocion qendror që në të vërtetë janë shkronjat RE në rrënjën e këtyre fjalëve. Kështu, festivali do të përpiqet të eksplorojë aspekte të shumta të këtyre fjalëve në kontekstin e botës që rishfaqet nga pandemia dhe riimagjinon veten në një situatë të re. Një numër filmash gjithashtu do të jenë në linjë me temën dhe ne jemi të ngazëllyer për të gjetur mënyra për ta sjellë audiencën tonë në bashkëbisedim rreth temës”, thotë Çakalli.

Sipas saj tema është reflektuar edhe në identitetin vizual dhe fushatën promovuese, duke qenë se paraqet ngazëllimin e DokuFestit për ribashkimin me audiencën në kinema për kremtimin e 20 vjetorit të festivalit.

“DokuFesti tashmë ka krijuar traditën e organizimit të festivalit në muajin gusht, për 9 ditë, me shumë kinema. Por vitin e kaluar ka qenë një ndryshim total që jemi detyruar si ekip me mësua një mënyrë që më parë nuk e kishim bërë, si ata që e kanë bërë prej fillimit festivalin, ashtu edhe ne që jemi rritë qe një dekadë me festivalin. Duke marrë parasysh faktin se deri në muajin prill të këtij viti ende kishte paqartësi, megjithatë përvoja e vitit të kaluar ashtu sikur na pati mbyllur disa dyer, po ashtu na pati hapur disa vizione tjera. Arsyeja pse festivali është hibrid sivjet vjen si trashëgimi e vitit të kaluar, ku një pjesë e vogël e programit do të jetë online, derisa natyrshëm preferojmë rikthimin në takimin fizik me audiencën. Por përqendrimi dhe frymëzimi i temës së sivjetme të festivalit është situata globale në të cilën gjendet njerëzimi sot, jo vetëm me atë që po ndodh me pandeminë, por edhe ndryshimet politike dhe ngjarjet tjera në vende të ndryshme. Nganjëherë disa gjëra i ndaloi pandemia, dhe menduam se mund të ketë gjasa për përmirësime, por pastaj e pamë se një morri zhvillimesh po vazhdojnë sërish me avazin e vjetër”, shprehet Çakalli.

Ajo shton se tre fjalë: Re:set Re:mix Re:act e kanë një mesazh në vete, por se njëkohësisht janë të hapura për audiencën për ta interpretuar në mënyrën e tyre.

“Duke qenë se festivali shënon 20 vjetorin, sivjet janë inkuadruar edhe pjesë të fushatave të mëparshme, si 20 Years of ‘Punk and Protest’, ose ‘Braking Borders’, ose ‘Truth&Lies’. Por audienca jonë do të ketë mundësinë që të shprehet rreth kësaj përmes një instalacioni në Lumbardh, ku shkruan 20 Years of, dhe ata e plotësojnë se çka është për ta 20 Years of. Për neve është 20 Years of DokuFest, por për dikë tjetër mund të jetë diçka tjetër. Prandaj tema gjithnjë lë hapësirë për debat, porosia nuk është strikte apo rigoroze për audiencën, por si me filma në programin garues, me programe speciale, me panelet e diskutimit kemi tema të ndryshme ku secili ka hapësirë me gjet veten”, thotë producentja e festivalit.

 

Arritja deri në këtë pikë sipas saj ka qenë përplot sfida, por njëherësh edhe kënaqësi për të përgatitur edhe një edicion të paharruar të festivalit. “Situata me pandeminë ka ndikuar në planifikim, produksion, mikpritjen e mysafirëve dhe aspektet tjera, por gjithsesi me tre fjalët: Re:set Re:mix Re:act kemi mbërri me reflektua atë që po e përjetojmë gjatë tërë vitit edhe në festival”, përfundon Çakalli.