06/08/2023

Jeta brenda një realiteti virtual, në një botë që çdo ditë e më shumë po vijon të varet nga teknologjia. A mund të bëhet realiteti ynë një video lojë nëse kalojmë orë të zgjatura në të? Këto dhe të tjera pyetje i erdhën në mendje publikut të pranishëm në sallën e kinemasë pas shfaqjes së filmit Knit’s Island. Për 96 minuta audienca në sallë u bë pjesë e përjetimit të avatarëve të realitetit virtual, duke dokumentuar kështu jo vetëm dinamikat e jetës së tyre, por në fund edhe anën e tyre njerëzore.

Filmi si pjesë e International Feature Dox trajton historinë e përbashkët dhe historitë individuale të një kasti të cilit për të xhiruar nuk iu desh kurrë të takohej. Regjisori bëhet pjesë e një hapësire virtuale ku përmes një videoloje lojtarët mund të mblidhen së bashku dhe të sillen sikur ekzistojnë në një situatë mbijetese. Atyre iu duhet të marrin vendime jetësore për veten, vendime të cilat ndikojnë ata dhe po ashtu lojtarët e tjerë.

Duke injoruar fillimisht përjetimet personale, personazhet fillojnë të shfaqin në lojë anët e tyre të errëta e deri në çnjerëzore. Në orët e gjata të shpenzuara duke luajtur këtë lojë, lojtarët në fund shpalosin edhe anën e tyre të vërtetë dhe njerëzore. Loja dhe realiteti virtual kthehet në një hapësirë ku anëtarët i dorëzohen ndjesive dhe përjetimeve të tyre në jetën reale.

Për regjisorin Ekiem Barbier e dhëna fillestare për të xhiruar këtë film kishte ardhur pikërisht pasi kishte marrë vesh ekzistencën e një realiteti të kësaj natyre online. Në sesionin e pyetje-përgjigjeve ai bëri me dije se filmi nuk ka për qëllim kurrsesi të dënojë apo mbajë një qëndrim të caktuar kundrejt personave të cilët kalojnë orë të gjata duke luajtur lojëra virtuale, por të nxisë procesin e të menduarit lidhur me vijën e hollë që ndan këto dy realitete atë realin dhe virtualin. Mos përmendëm gjë dy realitete?

Nga: Ana Haxhimali

Fotografia: Malda Lika