04/08/2023
Ky vit i DokuFest nisi me një ritakim me një nga fotografet e stafit, një vajzë që e pata takuar para gjashtë vitesh në Tiranë në një zyrë noterie, teksa të dyja po përgatisnim dokumentacionin për të ikur në Itali. Dje u u gjendëm në Destill, në Prizren duke diskutuar gjithë këta gjashtë vjet në jetët tona, duke pritur agimin e ditës në të cilin do të çelej DokuFest. Të dyja kemi marrëdhënie të ndryshme me këtë vend pasi unë prej më shumë se gjashtë vjetësh vij në Prizren derisa për të është hera e parë në këtë festival, madje si pjesë e stafit.
Në këto gjashtë vjet, DokuFest ka reflektuar mbi identitetin, gënjeshtrat dhe të vërtetat, mbi pasojat e fill dhe pas pandemisë me dëshirën për t’ia rifilluar, mbi mbijetesën dhe më së fundmi për qasjen ndaj Inteligjencës Artificiale në këtë epokë që veç e ripërkufizon veten.
Në këto gjashtë vjet, vera ka qenë e Prizrenit, e filmave dhe dashurisë deri në agim. Paçka se kufijtë kanë kapërthyer dilema të cilat asnjë valixhe nuk i mban dot, e di se rikthemi tek filmat dhe tek dokumentarët për ta parë jetën me sy krejt të rinj. Me sy që ia dinë fillin së vërtetës.
Ndërsa jetët tona morën drejtime krejt të ndryshme, pasioni për të rrëfyer e shkruar historitë tona të thjeshta na ka nxitur të thyejmë kufijtë, të rikthemi disa herë në vendet tona, por duke e parë Prizrenin dhe DokuFestin me shumë dashuri.
Dokufest si çdo vit udhëton në qytete të ndryshme për të paraqitur një shije të programit të kuruar të filmave dhe dokumentarëve. Këtë vit I AM AI AM I e gjeti Tiranën në parkun e Open Air plot me njerëz. Si plot herë e ndoshta si rrallëherë. E kjo më rikthen tek dëshira e ethshme gati të uritur që njerëzit kanë për të gjendur krejt të ndryshmen në ekran, për t’u mahnitur, për të marrë frymë me ritme të tjera, teksa qëndrojnë ulur dhe mendjet udhëtojnë.
DokuFest është i miqësive, i netëve të vona, i sfidave dhe i rikthimeve. Kjo ndihej edhe në Tiranë sapo nisën të shpaloseshin rrëfimet në ekran, por ndihet edhe në Prizren, sikurse çdo vit. Për të dyja ne është një moment i çmuar për të vlerësuar kinemanë duke qenë se qyteti ku ne kemi patur kontaktin më të madh me kinemanë, nuk të ofron hapin e përditshëm të të jetuarit me filmin vendas. DokuFest është një portë me shumë rëndësi për të njohur filmin shqiptar ndaj dhe etja për të njohur tënden, zor se shterret.
Teksa presim hapjen mendoj se asgjë nuk mposht ndjesinë e paqes në natën e hapjes në Kino Lumbardh teksa edicioni i ri çelet, e qëndron me një pije në dorë teksa ndjek çfarë ka përgatitur stafi i Dokufest për këtë vit.
Nëse kjo është një letër dashurie, atëherë ashtu qoftë! Sot nis edicioni i njëzet e dytë i DokuFest dhe paçka se çdo vit ripërtëriten emocionet e herëve të shkuara. Çfarë mendoj se i kthen njerëzit dhe dashamirët në këtë qytet është hapësira e shpresës që ky festival dhe gjithë energjia e njerëzve që qëndrojnë pas këtij festivali, gjenerojnë. Prej dashurisë, tek refleksionet, te kufijtë e deri tek teknologjia, ky festival i mban gjithë botët të cilat i rrokullisim mes jetës ndër pelikula, tinguj dhe emocione.
Këtë vit, I AM AI AM I na rikthen te nevoja për të kuptuar vendin tonë në botë, me mjetet që ne vetë krijojmë e që përpiqemi të njohim nëse do të na mund të na superojnë. Por na gjen sërish në të njëjtin vend: të ulur në sallat e kinemasë duke reflektuar mbi veten. Ashtu siç duhet të jetë.
OpEd nga Blerina Kanxha
Fotografia: Elmedina Arapi