08/08/2022

Dokumentari “REXHEP- Çka e vrau arkitektin” është shfaqur të dielën në kuadër të edicionit të 21- të DokuFest. 
Filmi ka të bëjë me jetën dhe punën e arkitektit dhe urbanistit Rexhep Luci, dhe historinë  e Prishtinës, qyteti që ai deshi dhe ku u vra në shtator të vitit 2000. Dokumentari ndjek marrëdhëniet e tij personale dhe profesionale me qytetin, nga përkushtimi për rritjen urbane gjatë periudhës Jugosllave deri te vendosmëria për të parandaluar ndërtimet ilegale në periudhën e pasluftës. Mbesa e tij, Besa, na shëtit nëpër jetën e tij dhe zhvillimin e Prishtinës përmes bashkëbisedimeve intime me familjen dhe ish kolegët e Rexhepit, derisa përcjell një intervenim arkitektonik në rrugën që mban emrin e tij. Dokumentari eksploron se çka e ndali arkitektin.
Premiera botërore e këtij dokumentari të metrazhit të gjatë është dhënë në Kino Bahçe, dhe teksa filloi të binte shi audienca pati durimin të ndiqte shfaqjen që u zhvendos në hapësirat e brendshme të kinemasë Lumbardhi.
Regjisori Mathieu Jouffre në fillim të sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve  falënderoi audiencën që shikoi filmin deri në fund pavarësisht ndërprerjes. Ai shpjegoi procesin e vendimmarrjes për ta bërë këtë film. 
“Kishim shumë pyetje ... Unë kam ardhur këtu para 10 vitesh, kam bërë një tjetër film. E dija historinë e Rexhepit dhe ishte e qartë se ka ardhur koha të pyesim çka, jo kush (e vrau atë). Kështu që na u desh të hapim kutinë e Pandorës. Ishte një ndjenjë sikur, le të ballafaqohemi me të dhe të vazhdojmë të bëjmë një film për të. Kështu titulli ishte Çka e vrau arkitektin, pastaj menduam se është më mirë t’i vendosim emrin e tij...Nuk mendoj se i kemi të gjitha përgjigjet por mendoj se është një fletë e bardhë dhe ne të gjithë se bashku, shoqëria, duhet të kalojmë nëpër të. Këtë po përpiqemi të bëjmë, për këtë është krijuar filmi”.
Producentja Besa Luci pranoi se gjatë një diskutimi me regjisorin Mathieu Jouffre kanë vendosur se ishte momenti të bëjnë një film për xhaxhain e saj.
“Dëgjoni copëza tregimesh por gjithmonë ekziston një lloj pengese apo thjeshtë diçka që të del në rrugë për të folur me të vërtetë për të. Kështu që ishte goxha sfidë për ta bërë këtë e posaçërisht për ta bërë para kamerës, dhe për të qenë në atë pozitë ku përpiqesh të kuptosh dhe mësosh për dikë që është pjesë e madhe e jetës tënde, edhe pse nuk është aty. Sepse unë besoj se kujtimi për xhaxhain tim i ka dhënë formë marrëdhënies që kam unë me qytetin çdo dite, qoftë në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, mendoj se është gjithmonë aty. Prandaj jam mirënjohëse që përmes filmit kam pasur rastin ta njoh atë”.
Ajo thotë se pyetja ÇKA sa i përket rastit të xhaxhait të saj është gjithmonë me të, posaçërisht kur përmendet qyteti i Prishtinës. 
“Në fund ai u vra për shkak të dashurisë së tij për Prishtinën”.  Ajo gjithashtu pyet veten se çka do të ndodhte me qytetin po të mos ishte vrarë ai.
Dokumentari “REXHEP – Çka e vrau arkitektin” do të shfaqet përsëri të premten, më 12 gusht nga ora 16.00 në kinemanë Lumbardhi.

Fotografia: Agon Dana