07/08/2022

Larmia e tematikave që vijnë përmes diskutimeve në DokuTalks eksplorojnë një diapazon të gjerë fushash. Ndonëse mund të tingëllojë sikur diskutimet rreth mjedisit dhe agrikulturës nuk janë fort të lidhura me kinematografinë dhe artin, për sa që të dyja këto ndajnë të njëjtën hapësirë rrjedhimisht bëhen pjesë organike të njëra- tjetrës. 
Pasditen e kësaj të diele oborri i shtëpisë së “Shani Efendi” mikpriti miq nga Bienalja Nomade e Artit Kontemporan “Manifesta” e cila prej disa javësh tashmë po mban në Prishtinë edicionin e saj të 14-të. Një panel i përbërë nga 3 artistë mes tyre drejtori artistik i “DokuFest”, Veton Nurkollari, kuratorja e “Manifesta” 14, Catherine Nichols dhe Jumana Manna, njëherazi skulptore dhe autore e librit dhe dokumentarit “Wild Relatives” pjesëmarrës në “DokuFest”. 
“Peizazhet e riparimit dhe rezistencës” ishte tematika që duke marrë shkas nga krijimet dhe konceptet e Manna-s të në dy mediume të ndryshme nxitën një diskutim tejet të vlefshëm mes panelistëve dhe jo vetëm, duke përforcuar gjithashtu konceptin e lidhjes mes “Manifesta” dhe “DokuFest”. Kjo lidhje është Toka dhe nevoja për ta ruajtur atë. 
“Unë e vizitova për herë të parë Prishtinën në gushtin e kaluar dhe takova aty Nita Dedën që më njohu me “DokuFest”. Që prej asaj dite e dija që kisha nevojë dhe doja të isha në këtë festival. Unë e njoh ndikimin e të tilla festivaleve dhe e shoh ndikimin e “Manifesta” sidomos tek peizazhi. Peizazhi është pikë që na lidh të dyjave por sidomos këtë vit që “Manifesta” bazohet tek rindërtimi dhe riparimi. Jam shumë e lumtur që të punojmë në një drejtim të përbashkët siç është dhe tematika kryesore e “DokuFest”, “How to survive?”. Të dyja këto tematika kanë në thelb rezistencën”, u shpreh kuratorja e “Manifesta” Catherine Nichols.  
Ndërsa artistja Jumana Manna në fjalën e saj veçoi si aspekt infrastrukturën, si një urë lidhëse mes dy mediumeve në të cilat ajo krijon dhe në mënyrë pak më të tërthortë, dy festivaleve. 
“Unë bëj filma dhe skulptura si dy gjëra të ndara, por nëse kemi një lidhje mes të dyjave është infrastruktura. Ajo që më intereson shumë është patjetër të ndjek ndryshimin dhe të shoh se si këto peizazhe ndryshojnë dita ditës.” 
Lidhur me këtë diskutim Veton Nurkollari u ndal gjithashtu tek një lidhje e ngushtë e dy festivaleve me njëri-tjetrin duke prezantuar për të pranishmit konceptin “How to survive?” dhe procesin e përzgjedhjes së kësaj tematike si refren të “DokuFest”. 
“Gjatë mbledhjeve të gjata në të cilat diskutonim lidhur me tematikën e këtij viti, vumë re se si pasojë e filmave që patëm tematika mundi të jetë më shumë se asnjëherë tjetër e qartë. Nisur nga produktet kinematografike që kishim, tematika do të kishte të bënte me mbijetesën, dhe si të mbijetojmë. Ndoshta jo për ta zgjidhur, por për të reflektuar rreth kësaj teme”, tregoi Veton Nurkollari. 
Ky panel diskutimi mundi të nxiste tek të pranishmit një mori pyetjesh të cilat siç u shpreh edhe Nurkollari, ndoshta nuk morën zgjidhje, por vëmendje mbase deri tani pak të munguar.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Agon Dana