10/08/2022

Busulla e një festivali dedikuar filmit dokumentar në fund të ditës drejtohet pikërisht tek ata. Në kuadwr tw temave që “DokuTalk” ka trajtuar dhe do të vijojë të trajtojë nuk mund të mungonte kurrsesi tema e ndikimit të këtyre produkteve kinematografike tek audienca. 
Paneli i përbërë nga Maria Silvia Esteeve, Martin DiCicco, Jelena Maksimovic dhe Veton Nurkollari nën moderimin e Dea Gjinovci ndanë eksperiencat e tyre individuale gjatë procesit të filmbërjes. 
Gjatë fjalës së tij regjisori Martin DiCicco u ndal tek ndërtimi i marrëdhënies me personazhet duke marrë si referencë rastin e tij.
“Në fakt ndërtova një marrëdhënie me personazhet e filmit tim vetëm duke u sjellë cigare nga Amerika. Mendoj se isha diçka e re për ta, një amerikan me një theks të çuditshëm. Ditën e parë ata më kërkuan fruta, sepse nuk kishin dhe unë u solla rreth 10 kg. Në fakt nuk kisha planifikuar të xhiroja, por thjesht të qëndroja me ta dhe mendoj se aty nisi marrëdhënia. Nuk kisha ndonjë ide specifike se për çfarë do të fliste filmi. Ata ishin thjesht të lumtur që unë ndodhesha aty dhe që mund të dokumentoja dinamikat e jetës së tyre. Që prej kohës kur fillova deri në momentin e fundit kam filmuar për 6 vite dhe dy vitet e para nuk isha shumë i afërt me ta. Deri sa ata patën probleme me pagesat, nuk po paguheshin nga kompania ndaj qëndruan në apartamentin tim deri sa u paguan. 15 persona qëndruan në apartamentin tim për 15 ditë. Mendoj se aty krijova një lidhje më të fortë me ta dhe më pas xhirimet ishin më të thjeshta.” 
Ndërsa për Jelena Maksimovic e cila qëndron pas procesit të filmbërjes si montazhiere marrëdhënia me personazhet është më e ndryshme se për ata të cilët ndodhen në sheshxhirim. 
“Varet nga filmi, unë punoj në shumë filma disa prej tyre janë eksperimentalë të tjerë i takojnë zhanrit fiction, por më duhet të jem patjetër mjaft e kujdesshme dhe e hapur me ato karaktere. Mua më pëlqen kinemaja ndaj për mua është e rëndësishme të bëhen filma të mirë. Ka situata gazmore, ku ti njeh një person nga një film, fytyrën e të cilit e ke edituar. Për muaj me radhë dhe kur e takon përballë ke një ndjenjë habie. Kjo na ndodhi sidomos në periudhën e Covid 19 kur dhe takimet tona bëheshin në platformën ‘Zoom’”. 
Në fjalën e saj Maria Silvia Esteeve ndau eksperiencën personale të filmbërjes në të cilën bëhej fjalë për personazhe me të cilët ajo vetë kishte lidhje familjare. 
“Unë nisa të bëja filma 6 muaj pasi mamaja ime ndërroi jetë. Më përpara kisha tentuar të ndërtoja një film dhe të shihja materialet deri në ditën kur mamaja ime ndërroi jetë. Pasi u ftoha pak nga emocionet dhe u shërova kuptova që historia e vdekjes së mamasë time nuk ishte vetëm historia ime, ishte gjithashtu historia e motrës time dhe e babait tim. Ndaj mu desh ti bindja ata të flisnin dhe ti çoja në vende të cilat ishin tejet të dhimbshme për ne.” 
Teksa Veton Nurkollari u kujdes të sillte në vëmendje gjatë diskutimit eksperiencën e tij të përzgjedhjes së filmave në festival dhe sfidën e këtij procesi. 
“Ndonjëherë mendoj se ata filma të cilët nuk përzgjidhen mund të bëjnë patjetër një tjetër festival njësoj të mirë. Ndaj nuk është e thjeshtë të përzgjedhësh kur ke të bësh me filma me një reputacion tejet të mirë, por duhet që ndonjëherë tematika e filmave të përkojë me tematikën e atij viti në festival. Këtë vit, është dashur që tematika të përkonte sidomos me tematikën e këtij viti. Ne po e drejtojmë këtë pyetje të rëndësishme në një kohë shumë të ligë në të cilën gjërat nuk janë mirë dhe ne deshëm pikërisht të dilnim direkt e në temë dhe të tregonim që gjërat vërtetë nuk janë mirë.”
Diskutimi i kësaj pasditeje gjeneroi mjaft debat mes anëtarëve të panelit dhe të pranishmve në hapësirën ku u mbajt “DokuTalk”.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Kushtrim Haxha