07/08/2022

Vullnetarët konsiderohen prej 20 vitesh si një prej shtyllave kryesore të zhvillimit të DokuFestit. Nëntë ditët e aktivitetit, për të cilin punojnë me dedikim mbi 150 vullnetarë janë një përvojë unike për ta, por gjithashtu një mundësi e artë për t'u njohur, për të marrë pjesë dhe kontribuar aktivisht në ndërtimin dhe realizimin e një ngjarjeje kulturore e kinematografike me interes ndërkombëtar.
Për organizatorët e DokuFest, puna dhe kontributi i vullnetarëve është një nga vlerat më të çmueshme të këtij festivali. Ata merren pothuajse me çdo aspekt të festivalit që nga logjistika, menaxhimi i kinemave, në mikpritjen e mysafirëve, në media qendër, dhe në pjesët tjera. 
Njëra prej vullnetareve që ka marrë pjesë në edicionet e hershme të DokuFest-it është tashmë pjesë e stafit drejtues. Në cilësinë e producentes së festivalit, Alba Çakalli tregon historinë e saj të suksesit nga perspektiva e një vullnetareje dhe aktivisteje deri te përfshirja në panoramën artistike të këtij festivali. Një rrugëtim që nisi vite më parë dhe vazhdon edhe në ditët e sotme.
“Nëse me kujtohet mirë edicioni i parë për mua si vullnetare ka qenë viti 2005 ose 2006. Në atë kohë për ne si fëmijë ka qenë një privilegj të ishim pjesë e DokuFest-it. Kam punuar te kinema Lumbardhi vitin e parë, dhe vitin pasardhës kam punuar si vullnetare, ku misioni ynë ka qenë të trokisnim derë më derë për të marrë nënshkrime për peticionin lidhur me mbrojtjen e kinemasë Lumbardhi, ku koordinator e kemi pasur Hajrulla Çekun, i cili tani është Ministër i Kulturës,” shprehet Çakalli.
Sipas saj ky angazhim ka rezultuar me shpëtimin e kinemasë nga shembja. “Edhe pse të rinj, kemi pasur sensin e aktivizmit se si ta mbrojmë qytetin dhe ti ruajmë vlerat tona. Që atëherë i kemi zhvilluar ato ndjenja dhe tani jemi këtu duke vazhduar t’i zbatojmë ato.”
Sipas producentes së DokuFest-it nga pikëpamja e një vullnetari/eje, ky event përbën një eksperiencë nga e cila krijohet një ndjenjë përkatësie dhe të gjithë të rinjtë e të rejat kanë mundësinë që të mësojnë, duke u argëtuar, të gjithë hapat e organizimit të një procesi mjaft kompleks.
“Duke u nisur nga eksperienca ime si vullnetare, po dhe ajo çka ne po mundohemi të çojmë përpara është të mësojmë të rinjtë që në një moshë te re te zhvillojnë aftësi dhe të kontribuojnë ne organizim të një eventi shumë kompleks. Ashtu edhe ua mëson edhe ndjenjën e përkatësisë, që ti i përket një grupi i cili ka një kauzë të madhe, nga ku përcillet një mesazh jo vetëm në aspektin rajonal, por edhe në atë global.” 
Por çdo vit në DokuFest vijnë të tjerë vullnetarë, të cilët kanë dëshirë për t’u bërë pjesë e këtij ekipi dhe për të dhënë kontributin e tyre. Njëri prej tyre është edhe Olt Kastrati, 16 vjeç i cili është i angazhuar në departamentin e mikpritjes. Për Oltin, eksperienca në DokuFest është një dëshirë e cila u bë realitet.
“Ky është edicioni parë për mua, jam shumë i emocionuar që të jem pjesë e ekipit të DokuFest. Jam rritur duke parë kushërinjtë e mi të jenë pjesë e DokuFest-it si vullnetarë, dhe kjo me ka shtyrë që të vij këtu. DokuFest është ngjarja  që ia jep shijen Prizrenit pasi qyteti mbushet me njerëz nga e gjithë bota dhe atmosfera është shumë e gjallë. Aspiroj që kur të jem më i rritur të jem pjesë e brendshme e ekipit”.
Vullnetarët, ashtu si në çdo festival janë aty edhe për të shijuar programin dhe për të festuar diçka që ju pëlqen: filmin. Optimizmi dhe entuziazmi i tyre ndihet edhe nga vetë audienca, dhe të gjithë këta të rinj të palodhur do të mbahen mend nga stafi dhe vetë qyteti i Prizrenit për vlerat dhe energjinë që i japin çdo edicioni të DokuFest-it. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata vullnetarë, vendas edhe të huaj, pa të cilët DokuFest-i nuk do kishte arritur suksesin që gëzon në rajon dhe me gjerë.

nga Pediona Dautaj

Fotografia: Elmedina Arapi