11/08/2022

Dokumentari “The New Greatness Case (Rasti i Madhështisë së Re)” shpalos historinë e gjyqeve të padrejta dhe dënimeve me burg kundër aktivistëve të rinj rusë, të cilët ndajnë një ëndërr të përbashkët për një shoqëri të lirë dhe të drejtë. Anya (17 vjeçare) së bashku me familjen e saj, janë protagonistë të këtij filmi. Ajo ishte adoleshente e zakonshme që ëndërronte ta bënte jetën më të mirë në Rusi, por në mars të vitit 2018, ajo u arrestua dhe u burgos me akuza të sajuara për ekstremizëm. Pas kësaj nëna e saj vazhdoi luftën e saj të dëshpëruar për të vërtetuar pafajësinë e vajzës së saj.
Në sesionin e pyetjeve dhe përgjigjeve, pas shfaqjes së filmit në DokuFest, regjisorja Anna Shishova, shpjegoi para të pranishmëve se filmi i saj tregon represionin e autoriteteve në Rusi.
“Doja të bëja një film për represionin në Rusi shumë kohë para se të dëgjoja për Rastin e Madhështisë së Re. Kemi pasur raste politike, pothuajse çdo muaj. Por kjo histori më preku në një aspekt shumë personal, sepse kur shkova në konferencën e parë për shtyp, ku takova prindërit e Anjës dhe dëgjimi i historisë se si u arrestua, vërtet më tronditi aq thellë, sa kuptova se pas këtij informacioni nuk mund të jem më i njëjti person”.
Procesi i krijimit të filmit sipas saj ka vazhduar për një periudhë mjaft të gjatë. “Kemi filluar të filmonim në vitin 2018 dhe i kemi ndjekur deri në fund të gjykimit. Ishte një proces i vështirë si për të arrestuarit ashtu edhe për ekipin e xhirimit”.
Shishova ka arritur të krijojë një raport të afërt me Anjën dhe familjen e saj, por ajo gjithashtu ka përdorur edhe disa pamje të kamerës së fshehur. “Aktivistët e një organizate për të drejtat e njeriut, të cilët u ofronin ndihmë juridike personave të arrestuar dhe avokatëve të Anjës, donin shumë që të bëhej një film, kështu që edhe disa nga pamjet ishin pjesë e materialeve të çështjes. Por ne nuk mund t'ia tregonim askujt këto pamje para vendimit. Pas vendimit ne mund t'i publikonim ato”.
Ajo përmendi gjithashtu se ekipi i xhirimit ka përjetuar  presion psikologjik nga autoritetet.
“Na kanë ndjekur gjatë gjithë kohës. Por ishim të kujdesshëm dhe ishim në kontakt me organizatat e të drejtave të njeriut, pasi bëmë të pamundurën për të qëndruar të sigurt”.
Duke folur për ngjarjet aktuale në Rusi, Shishova gjithashtu theksoi se për shkak të këtyre lloj gjykimesh të padrejta pjesa aktive e shoqërisë është e rraskapitur apo e dëshpëruar dhe se tani kryesisht veprojnë në mënyra të fshehta. “Unë vërtet i admiroj dhe i mbështes ata”.

Fotografia: Kushtrim Haxha