10/08/2022

Larmia e mediumeve përmes të cilave arti ndikon tek publiku sidomos në ditët e sotme me përparimin e teknologjisë ka filluar të ndihet dukshëm. Nuk është më e nevojshme që për të shijuar dhe kuptuar një ekspozitë arti, publiku të ndjekë metodën tradicionale të vështrimit me orë të tëra veprat duke lexuar paralelisht tekstet kuratoriale. Kjo ishte edhe tematika që solli në vëmendje leksioni i mbajtur mesditën e kësaj të enjteje në ambientet e “KinoKlubi” kuratori dhe studiuesi i artit Chema Gonzales. 
Leksioni solli një analizë të funksioneve dhe përdorimit të produkteve kinematografike në hapësirat muzeale duke iu referuar në mënyrë më specifike rastit të përdorimit të këtyre produkteve në muzeun “Reina Sofia” në Madrid. 
Si një muze i njohur në mbarë botën, për veprat që ekspozon dhe aktivitetet që mban kjo hapësirë është një dëshmi e qartë se si kinemaja dhe format e tjera të artit kontemporan por jo vetëm mund të qëndrojnë të lidhura me njëra- tjetrën për ta bërë publikun pjesë organike të artit. 
Në këtë muze produktet filmike të krijuara enkas për veprat e artit dhe ekspozitat ndajnë të njëjtat mure dhe të njëjtën hapësirë të së njëjtës ndërtesë duke krijuar kështu pavione, vizita në të cilat, e detyron publikun të përdorë më shumë se një shqisë për të perceptuar artin e ekspozuar. 
Gonzales u kujdes që gjatë leksionit përveç se të shpjegonte dhe të bënte një narrativë nëpër muze, të ndalej tek ato raste më specifike dhe më të njohura siç mund të konsiderohet vepra “Guernica” nga Pikasso. Përdorimi i një sërë mediumeve për të prezantuar dhe ekspozuar vepra të kësaj natyre por jo vetëm, sot gjen përdorim në muze anë e mbanë botës ku kineastët prodhojnë produkte kinematografike enkas për të tilla raste. 
Muzetë dhe hapësirat më të famshme në botë kanë krijuar tashmë kinoteka që qëndrojnë në funksion të veprave të tyre të artit dhe të cilat sa vijnë e zgjerohen nga ekspozitat e reja. 
Diskutimi i Gonzales u dëgjua me interes nga një numër jo i vogël pjesëmarrësish të cilët i drejtuan kuratorit pyetjet dhe ndanë me njëri- tjetrin këndvështrimet e tyre lidhur me këtë tematikë kaq inovative të artit në ditët e sotme. 


Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Kushtrim Haxha