09/08/2021

Dokumentari i shkurtër i Sierra Pettengill The Rifleman takoi audiencën e DokuFest të dielën në DokuKino. 

The Rifleman rrëmon thellë në origjinën e Asociacionit Kombëtar të Pushkatarëve (NRA) përmes pamjeve habitëse nga arkivi që përfshijnë dekada, duke zbuluar rrënjët e organizatës moderne në masat shtypëse kundër lëvizjes për të drejtat civile. Nga fillimi i viteve 1950 në kufirin SHBA-Meksikë deri te NRA në epokën pas-të drejtave civile, ky dokumentar i shkurtër studion jetën e Harlon Carter që ndryshoi përgjithmonë trajektoren e organizatës së armëve, duke zbuluar në mënyrë elegante qasjet ksenofobie dhe radikale që demaskojnë pozicionin e sotëm të NRA-së të ashtuquajtur “pro-Amandamentit të Dytë”

Në diskutimin pas shfaqjes së filmit në DokuKino, Pettengill shpjegoi se ishte e pakënaqur me rrëfimet e thjeshta dhe shpalosi mënyrën se si filmi i saj e vinte NRA-në në kontekst më të gjerë të asaj se si posedimi i armëve, që prej themeleve të kombit, ka qenë kyç në zbatimin e vizionit nacionalist të bardhë në Shtetet e Bashkuara. 

“Është e qartë se në SHBA ekziston problem i madh me armët, dhe një rol të madh se si është zhvilluar kjo e ka NRA-ja”, thotë Pettengill, duke theksuar gjithashtu se publiku ka shumë pak qasje në atë se si ky asociacion funksionon dhe e kontrollon politikën e armëve. “Sfidat në realizimin e filmit kanë të bëjnë me problemet me NRA, si mungesa e qasjes në mënyrën si funksionojnë, ashtu që arkivat e tyre janë tërësisht sekrete”, shton ajo.

Por Pettengill gjithashtu shton se edhe pse NRA ekzistonte për të organizuar dhe konsoliduar një lobi, në të vërtetë problemi nuk ka filluar me ta. 

“Për mua problemi me armët është pastër problem i nacionalizmit të bardhë në SHBA, ato janë të lidhura shumë ngushtë”, thotë Pettengill, derisa shton se problemi është ruajtur në Kushtetutë që nga fillimi,  dhe “arsyeja për këtë doli të ishte nevoja për spastrimin e popullatës vendëse amerikane”. Kjo është diçka të cilën e kam kuptuar gjatë krijimit të filmit,” thotë Pettengill. 

Ajo shpjegon se si të gjithë filmat e saj deri më tash janë përqendruar në supremacinë e të bardhëve në SHBA në forma të ndryshme. Puna e Pettengill përqendrohet në rrëfimet e shtrembëruara të së kaluarës amerikane. Së fundi, ajo bëri regjinë e episodit ‘Bid Dan’s’ të serive të dokumentarëve në Netflix Trial by Media. 

Filmi i saj i metrazhit të gjatë i vitit 2017, dokumentari me përmbajtje të tërësishme arkivore, The Reagan Show, u dha premierë në Festivalin e Filmit në Locarno përpara se të transmetohej në CNN. 

Filmi i saj i shkurtër arkivor i vitit 2018, Graven Image, u transmetua në POV dhe mbahet në Muzeun e Trashëgimisë në Montgomery, Alabama, ndërsa filmi i saj i shkurtër i vitit 2020 Business of Thought u dha premierë në Festivalin e Filmit Dokumentar në Sheffield. 

Më 2013 ajo ishte producente e filmit të nominuar për çmimin Oscar Cutie& the Boxer, i cili gjithashtu ka fituar Çmimin Emmy për Dokumentarin më të Mirë, dhe gjithashtu ka bërë regjinë në bashkëpunim të filmit Town Hall për PBS. 

Ajo gjithashtu ka punuar si hulumtuese arkivore për shumë filmbërës duke përfshirë Jim Jarmusch, Mathieu Amalric, dhe Mike Mills. 

 

Ajo ishte pjesëtare e Sundance Institute Art of Nonfiction Fellow, pjesëtare e grupeve Yaddo dhe MacDowell, dhe shkruan shpesh për filmin për botime të ndryshme duke përfshirë Frieze and Film.