08/08/2022

Fondacioni Lumbardhi këtë të djelë ishte nikoqir i ceremonisë vendore të Çmimeve Evropiane për Trashëgimi/Europa Nostra Awards. Në mesin e fituesve të këtij viti është edhe projekti “Lumbardhi përsëri publik”, në kuadër të kategorisë Angazhimi i Qytetarëve dhe Ngritja e Vetëdijes. 
Dorëzimi i çmimit u bë në Kino Bahçe në Prizren ku morën pjesë mysafirë nga Zyra e BE-së në Kosovë, përfaqësuesit rajonal të Eurpa Nostra, aktivistë të shoqërisë civile, etj.
Veton Nurkollari nga DokuFest falënderoi Europa Nostra për njohjen e përpjekjeve dhe shfaqjen e përbashkët të solidaritetit për të shpëtuar kinemanë Lumbardhi, teksa kujtoi shumë sfida me të cilat janë përballur për mbrojtjen e kësaj hapësire të rëndësishme kulturore. 
“Në fillim nuk dukej se ishte e mundur. Ajo që dukej e mundur ishte solidariteti, në fillim nga një grup i vogël e më pas ajo u bë më i madh me peticionin, me bashkimin e forcave jo vetëm këtu në Prizren, por me më shumë se 50 OJQ nga Kosova të cilët iu bashkuan thirrjes dhe luftës tonë për të pranuar këtë hapësirë shumë të rëndësishme si pjesë shumë e rëndësishme e kujtesës kulturore të këtij qyteti dhe se duhet të ruhet dhe të vazhdojë në vitet në vazhdim”.
Sali Shoshi nga CHwB në Kosovë, organizata që ka nominuar projektin “Lumbardhi përsëri publik” për Çmimin Evropian për Trashëgimi/Europa Nostra Awards, theksoi se si të gjitha përpjekjet për ruajtjen e kinemasë Lumbardhi ishin frymëzuese. “Historia e Lumbardhit është unike dhe është model i cili duhet të ndahet në Kosovë. Ne kemi shumë vende si Lumbardhi që kanë aq shumë kujtime kolektive dhe janë të rrezikuara nga rrethanat, nga tranzicioni, dhe kanë nevojë për ndihmën tonë për t’i ruajtur, për ti ruajtur tregimet dhe për t’i ndarë ato me botën.”
Kreu i Zyrës së BE-së në Kosovë Tomáš Szunyog, tha se kjo iniciativë mund të jetë përpjekje shembull për vende të tjera në Kosovë, në regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë si tërësi, kur kemi të bëjmë me mbështetjen e nocionit të trashëgimisë së përbashkët evropiane.
“Sot po ia dorëzojmë Çmimin Evropian për Trashëgimi/Europa Nostra projektit “Lumbardhi Përsëri publik”. Do doja të theksoja sa e rëndësishme ka qenë për BE-në kjo arritje kolektive për shpëtimin e kinemasë Lumbardhi dhe kthimin e saj në një qendër kulturore të Prizrenit. Ky është shembull i një përpjekjeje të vërtetë dhe të admirueshme...”
Sekretarja e përgjithshme e Europa Nostra, Sneška Quaedvlieg-Mihailović, ka uruar me një video mesazh të gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë histori suksesi, me theks të veçantë për prijësit e saj DokuFest dhe EC Ma ndryshe, duke e falënderuar gjithashtu edhe CHwB-në për nominimin e këtij projekti për këtë çmim. 
“Ju ia keni dalur të shpëtoni kinemanë tuaj të dashur nga privatizimi dhe shkatërrimi dhe e keni rimarrë me sukses atë si hapësirë të trashëgimisë së mbrojtur kulturore të hapur për të gjithë. Ju e keni transformuar Kino Lumbardhin në një qendër të jashtëzakonshme kulturore të komunitetit dhe vend-takim dhe në këtë mënyrë ajo është bërë një vektor i fuqishëm i zhvillimit të qëndrueshëm lokal për qytetin e Prizrenit”.
Sadi Petrela nga Fondacioni Gjirokastra tha se ky çmim do të jetë një stimulues i madh për Lumbardhin dhe të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në mënyrë që të vazhdohet me punën e mirë për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe shfrytëzimin e tyre për zhvillim lokal.
Ares Shporta drejtor i Fondacionit Lumbardhi falëndëroi të gjithë ata që ishin pjesë e këtij udhëtimi i cili vazhdon edhe më tutje. “DokuFest-i na pyet si vjet Si të mbijetojmë? Lumbardhi ka qenë histori e mbijetesës përgjatë gjithë historisë së tij”.
Ceremonia kryesore e ndarjes së çmimeve do të mbahet me 26 shtator në Pragë.

Fotografia: Kushtrim Haxha