09/08/2020
Që prej mbrëmjes së 7 gushtit, ngriti siparin edicioni i 19-të i DokuFestit. Një edicion ky, i pazakontë për shkak të situatës mbarëbotërore të pandemisë së COVID-19. Si shumëçka tjetër dhe DokuFest ka kaluar online këtë edicion, duke mundësuar për publikun një program të plotë e një eksperiencë kinematografike të pacenuar.
Sigurisht që ky edicion nuk do të jetë si të mëparshmit, e kjo gjë u ndje sidomos në ceremoninë e hapjes, ku pjesëmarrja ishte tejet e kufizuar, dhe ku mungonte gjallëria e zakonshme. Kjo gjë ndihet edhe në rrugët e zbrazëta të Prizrenit, të cilat në vitet e shkuara gjatë kësaj periudhe gëlonin nga njerëzit, të ardhur nga gjithë rajoni e më gjerë, për të ndjekur programin e DokuFest. Këtë vit nuk do mund të ndiejmë atmosferën elektrizuese të DokuNights, ku njerëzit shijonin muzikën deri në orët e para të mëngjesit, apo atmosferën që krijohej për shkak të diversitetit të pjesëmarrësve dhe publikut në aktivitete.
Megjithëkëtë programi i këtij viti mbetet po aq i larmishëm dhe gjithëpërfshirës si çdo edicion tjetër, pasi puna për organizimin e fesivalit fillon që nga momenti kur mbaron edicioni i atij viti dhe në të njëjtën mënyrë ishte organizuar dhe për këtë vit. Në një kohë shumë të shkurtër, vetëm disa mujore, ishte e nevojshme që të bëhej një riorganizim dhe ristrukturim i gjithë edicionit, duke u munduar sigurisht që të mos cenohej shpirti i DokuFestit.
Rezultati është një transformim i festivalit, ku tashmë kemi një platformë multifunksionale, e cila bën të mundur ndjekjen e festivalit pavarësisht kufijve. Ndërsa sigurisht nuk do jemi në gjendje të shijojmë atmosferën festive dhe plot gjallëri që krijohej në qytet gjatë javës së festivalit, tashmë gjithkush është në gjendje që të ndjekë cilindo aktivitet të festivalit, pavarësisht se ku ndodhet gjeografikisht. Ndonëse këtë vit nuk do të jetë e mundur që të krijohen kujtime të paharrueshme buzë lumit të Prizrenit, virtualisht do të jemi buzë një oqeani të tërë mundësish për të ndarë së bashku. Ky organizim i pazakontë do të na mundësojë të jemi edhe më bashkë, edhe më pranë se kurdoherë tjetër, duke ruajtur frymën e këtij festivali, e duke vënë në qendër të vëmendjes ato çka ia japin këtë frymë, vetë njerëzit.
Ky edicion do të ngelet në kujtesën e gjithkujt, për një kohë të gjatë; do të ngelet në kujtesën e stafit për shkak të sfidave të papritura në lidhje me organizimin; në kujtesën e pjesëmarrësve për shkak të një natyre krejt të re funksionimi të festivalit dhe në kujtesën e publikut, si një edicion që ndryshon jo vetëm në kohëzgjatje dhe organizim. Por gjithashtu urojmë që të ngelet në kujtesë si një oazë ku koha dhe ankthi e pasiguria e situatës ndalej, e gjithçka ishte si më parë, si në edicionet plot gjallëri e jetë të viteve të tjera. Kjo është ndjesia që ne shpresojmë të përcjellim këtë vit përmes ekranit tuaj, të ndihemi së bashku edhe duke qenë fizikisht larg.
Nga Anisa Gjini