12/08/2020

DokuFest është një festival gjithëpërfshirës dhe kjo nuk vërtetohet vetëm nga diversiteti i filmave e dokumentarëve pjesëmarrës, apo nga pjesëmarrja nga gjithë rajoni e më gjerë ndër vite, por gjithashtu dhe nga fakti se si për çdo vit i është kushtuar një hapësirë e veçantë fëmijëve, atyre që janë brezat e ardhshëm, e që do jenë ata të cilët do e vazhdojnë ta përcjellin këtë traditë vit pas viti.

DokuKids është ndër organizimet më të veçanta brenda DokuFest, pasi është krejt i ndryshëm nga çdo aktivitet tjetër që zhvillohet zakonisht përgjatë festivalit. Ai përfshin lojëra, punëtori, kërcime, e përgatitje animacionesh me fëmijët pjesëmarrës. Si shumëçka tjetër, për këtë vit dhe DokuKids është përshtatur dhe shumë nga aktivitetet janë të pamundura të zhvillohen për shkak të situatës me pandeminë COVID-19.

Për këtë vit, vogëlushëve tanë u kemi mundësuar 12 filma të cilët mund t’i ndjekin nga data 8 deri më 15 Gusht.

Janë 10 filma të animuar, dhe 2 filma me metrazh të shkurtër, të cilët do të mund të ndiqen përgjatë kësaj periudhe, pa pagesë.

Filmat janë gjithëpërfshirës dhe të përzgjedhur për çdo moshë, duke filluar nga filmat e animuar pa dialog, të cilët sjellin si mesazh ngjashmëritë që kemi si qenie, pavarësisht pamjes së jashtme, një animacion e mesazh i kuptueshëm nga të gjitha moshat, tek filmat me metrazh të shkurtër, tematika e të cilave është e lidhur me pasojat që sjell rritja dhe dallimet që ndodhin në konceptimin e botës si pasojë e kësaj rritje.

Sigurisht që nuk mund të mungonte një film që i bën një homazh kinemasë, filmi “The Kid”, i cili trajton miqësinë që formohet mes një të moshuari që ka humbur dyqanin e tij të videove dhe një djaloshi që zbulon pasionin e tij për filmat dhe kinemanë.

Të gjitha histori e mesazhe shumë frymëzuese, jo vetëm për fëmijët, por dhe për të gjithë familjen, pasi të gjithë ne do mund të nxirrnim një mësim. Më e pakta, do mund të ndalnim një moment dhe të reflektonim secili prej nesh përbrëndshmi për si ka ndryshuar këndvështrimi ynë ndaj botës ndërsa jemi rritur, e mundet që përse jo, të rigjenim atë fëmijën brenda nesh, qoftë dhe veçse për disa minuta.

Nga Anisa Gjini