KALIMET: PORTRET MUZIKOR I AGONA SHPORTËS

June 19, 2020

Jemi të lumtur t’ju njoftojmë për shfaqjen online të premierës së filmit KALIMET me regji të Vincent Moon dhe Priscilla Telmon. Filmi sjell udhëtimin e shkurtër vizual dhe muzikor i cili përcjell muzicienten e Prizrenit Agona Shporta nga shtëpia e saj deri tek kalaja, teksa perëndimi i diellit mbulon qytetin.

KALIMET, i xhiruar gjatë edicionit të 17 të DokuFest, do të shfaqet falas në faqen tonë zyrtare si dhe në kanalet e KohaVision-it  të premten me 26 qershor, në orën 21.00.

E njohur si performuese, kompozitore, tutore dhe kuratore e muzikës, Agona Shporta jeton në Kosovë. Ajo ka përfunduar studimet për performanca vokale në New School Program for Jazz  në Nju Jork si dhe ka performuar aranzhime këngësh nga tradita të ndryshme muzikore të cilat përfshijnë Ballkanin, Amerikën e Jugut, Indinë, Lindjen e Mesme dhe Librin e Këngëve Amerikane. Agona ka bashkëpunuar rregullisht me muzicientë të xhazit nga Kosova dhe është emër i dashur dhe familjar edhe në DokuFest. Krahas performancave të saj, Agona synon të zhvillojë kulturën e vlerësimit të performancave live duke krijuar hapësira më intime për performanca muzikore.

Mathieu Saura, i njohur si Vincent Moon  është regjisor i pavarur nga Parisi. Ai ishte drejtori kryesor i Blogotheque’s Take Away Shows, ku inçizonte performancat e muzicientëve të muzikës indie-rock si dhe disa artistëve të tjerë si Tom Jones, R.E.M ose Arcade Fire. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Vincent Moon ka udhëtuar nëpër botë kamerën e tij duke dokumentuar folklore lokale, muzikën e shenjtë e ritualet fetare – nën emrin e Collection Petites Planètes. Ai punon vetëm me njerëzit të cilët i takon gjatë udhëtimeve të tij dhe zakonisht pa para, duke u përpjekur kështu të prodhojë dhe shpërndajë filma pa standardet e caktuara të industrisë.

Filmbërëse, fotografe dhe shkrimtare, anëtare e Society of French Explorers që nga viti 1999, ajo i është përkushtuar udhëtimeve të gjata ku gërshetohen historia me aventurën, homazhet e traditës dhe misteri i kulturave që ajo ka vizituar. Është pikërisht eksplorimi i kulturave antike ajo që e ka shtyrë Priscilla Telmon të jetë regjisore e filmit dhe dokumentarit, të shkruajë libra e artikuj dhe të bashkëpunojë me televizione, radio dhe muze. Ajo ka zhvilluar praktikat e muzikës intuitive dhe të shenjtë duke u nisur nga ideja se gjithçka që vibron është bazë e shkencës së vjetër dhe praktikave të shërimit përmes muzikës.

DokuKids 2019

July 15, 2019

Konkurs pune

October 1, 2018