CALL FOR ENTRIES IS NOW OPEN

02 – 10 August 2019
Edition XVIII

02 – 10 August 2019
Edition XVIII

Mirë se erdhe në DokuFest!

August 3rd, 2018

Miq të dashur,

Erdhi koha që t’ju mirëpresim të gjithëve në këtë vend të vogël të botës dhe në këtë qytet të bukur aq të dashur për zemrat tona, ku magjia e imazheve lëvizëse do të shpërndahet në tërë qytetin dhe ku hareja e ritmeve të muzikës do ti mbush zemrat e të gjithë atyre që vijnë ta dëgjojnë. Sepse ne kemi kaluar ditë dhe net të shumta duke shikuar filma dhe duke dëgjuar muzikë me qëllim që të sjellim tek ju dhe audienca jonë një përzgjedhje, me të cilën jemi jashtëzakonisht krenarë.

Në faqet në vijim ju do të gjeni tregime aq të mahnitshme sa që me lehtësi do të harroni që shumica prej tyre në fakt janë tregime të vërteta. Aty ka tregim për dy familjet në armiqësi në shkretëtirën siberiane; gjuetarët e çatallëve të mamutëve në një ishull në detin Arktik, tregimi për meteorët që bien nga qielli e që merren nga fshatarët, për pilotët që drejtojnë fluturaken me energji solare nëpër botë; tregimet për eksperimentet e egra sociale, aeroportet si strehimore të azilkërkuesve dhe deponitë e mbeturinave në Accra sikur “Mad Max”-i. Ka edhe tregime të paharueshme mbi propagandën ruse dhe shfaqjen e lajmeve të rreme; propozimin e çuditshëm për të shpëtuar trashëgiminë artistike; dhe rrëfimi për Asgjënë që ik nga shtëpia dhe bredh nëpër botë.

Ka edhe numër të madh të filmave të shkëlqyeshëm në programin e këtij viti dhe jemi të kënaqur që kemi mundësinë që t’i projektojmë ato bashkë me disa prej veprave klasike të kinematografisë botërore, sikurse filmat: “Mirror” të Tarkovskyt dhe “Persona” të Bergmanit.

Disa nga më të mirët dhe më të ndritshmit në krijimin e dokumentarëve nga këto vise do të paraqiten në Garën e Dokumentarëve të Ballkanit, ndërkohë që vazhdojmë që ti nënvizojmë çështjet e të drejtave të njeriut dhe ato mjedisore në dy garat përkatëse.

Si zakonisht, ka një numër të madh të filmave të shkurtër në programin e këtij viti. Gara jonë Ndërkombëtare do të sjellë edhe njëherë si talentet e rinj ashtu edhe një numër të filmbërësve të shpërblyer, derisa disa programe speciale do të nxjerrin në pah formën e shkurtër, sikurse retrospektiva e vogël, por e dukshme e dyshes filmike iraniane, Ali Asgari dhe Farnoosh Samadi.

Shtoja kësaj edhe regjistrin po aq mbresëlënës të filmave nga Gara Kombëtare sikurse edhe grupin e ri të filmave nga programi ynë i trajnimit për produksion filmi Future is Here. Nuk kemi asnjë arsye për të mos qenë entuziastë për të ardhmen e filmbërjes në Kosovë.

Kemi kënaqësinë po ashtu që ta sjellim në Kosovë për herë të parë një retrospektivë të gjerë të kinemasë tajvaneze me filma të mjeshtërve siç janë Edward Yang dhe Hou Hsiao-hsien, si dhe një numër të perlave të rralla nga ky vend i vogël me trashëgimi të shquar të kinemasë. Do të doja të shfrytëzoja këtë rast për të falënderuar Wood Lin nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar në Tajvan për kurimin e këtij programi si dhe një grupi të mrekullueshëm njerëzish nga Instituti i Filmit në Tajvan dhe Zyra e Përfaqësuesit të Tajpeit në Hungari për mbështetjen e tyre dhe përpjekjen e palodhur për ta bërë të mundur këtë.

Në një vit të shënuar nga lëvizjet “Me Too” dhe “Time’s Up” një pjesë e programit tonë i kushtohet fuqisë së grave dhe kjo është pikërisht ajo që do të gjeni në një program të bukur të kuruar nga kolegia jonë programere, Pamela Cohn. Plus Sezgin Boyniku ynë ka kuruar një program të mrekullueshëm të kinemasë eksperimentale me regjisore femra.

Po ashtu jemi tepër të lumtur që jo më pak se 87 regjisore gra marrin pjesë me filmat e tyre në festival, një testament absolut për sloganin “Future is a Girl” që me krenari e kemi lansuar vitin e kaluar.

Nëse ndonjëherë e keni pyetur veten se si realiteti përdoret në kinemanë portugeze të filmit të metrazhit të gjatë, miqtë tanë nga festivali Porto/Post/Doc sjellin një përzgjedhje fantastike pikërisht rreth kësaj. Aty do t’i gjeni me siguri disa filma të jashtëzakonshëm dhe të hasur rrallë.

Jemi të lumtur të mirëpresim kthimin e festivaleve tona partnere nga North South Documentary Network, AmDocs dhe DocsMX me përzgjedhjet e tyre përkatëse, duke ofruar kështu një dritare përmes së cilës mund ti shohim filmat e rinj nga SHBA-ja dhe Meksika.

Duke vazhduar bashkëpunimin tonë me Gjirafa Video ne sjellim në festival përzgjedhje të freskët të RV emocionuese si dhe audienca jonë më e re do shikojë programin më të gjerë të DokuKids deri më sot.

Ju ftojmë ta përjetoni tërë këtë magji kinematike me shpresën që duke e bërë këtë ju do të shpërbleheni duke shikuar po aq sa ne derisa po e përgatisnim atë.

Falënderimi ynë i përzemërt shkon për të gjithë njerëzit e jashtëzakonshëm që e kanë bërë të mundur këtë udhëtim të bukur dhe këtë ëndërr tonën: sponsorëve tanë bujarë dhe partnerëve, ekipit bazë të përkushtuar të DokuFestit dhe gjithë vullnetarëve të mrekullueshëm. Si dhe filmbërësve të cilët i ndanë filmat e tyre me ne këtë vit; jemi shumë të vetëdijshëm se ky festival nuk do të ishte i mundur pa ju!

Veton Nurkollari
Drejtor Artistik