02 – 10 August 2019
Edition XVIII

02 – 10 August 2019
Edition XVIII

THERE IS A LIGHT THAT NEVER GOES OUT: DEDIKIM RADIKALËVE TË KINEMASË

July 3rd, 2019

Gjysma e vitit që lamë pas shënoi humbjen e katër artistëve jashtëzakonisht të talentuar të filmit, kontributi i të cilëve ka pasur ndikim të madh në filmin dokumentar. Dokufest i ka dedikuar një moment të veçantë kontributeve filmike jo-fiktive të edicionit të sivjetmë, duke ndarë një moment zie për vdekjet e tyre.

Që kur filloi ky vit katër heronj avangardë ndërruan jetë – filmbërësja eksperimentale feministe Barbara Hammer, kuratori, poeti dhe artisti Jonas Mekas, nismëtari Jugosllav i ‘Black Wave’ Dusan Makavejev si dhe nëna e ‘French New Wave’, Agnes Varda, Mekas dhe Makavejev me vetëm disa ditë dallim mes njëri-tjetrit.

Në kohën kur ndërruan jetë, Varda dhe Hammer ishin në vazhdën e publikimit të punëve të tyre si dhe formësimit të vazhdueshëm të gjeneratës së filmbërësve të rinj. DokuFest nderon jetët dhe filmat e jashtëzakonshëm të këtyre mjeshtrave me një seleksionim të filmave më mahnitës të tyre, disa të rikontrolluar dhe të restauruar.

Ndonëse nuk kishte bërë film që nga viti 1996, i linduri në Beograd Dusan Majavejev mbetet figurë e shquar e kinemasë Jugosllave socialiste. Me bazë në psikologji dhe dokumentar, Makavejev konfrontoi, ballë për ballë, liderin komunist Josip Broz Tito me filmin satirik Innocence Unprotected (1968). Duke e shkrirë ideologjinë Marksiste me një diskurs narrativ të guximshëm, Makavejev e shpuri kinemanë e atdheut të tij në strastosferë, me veprën e tij të guximshme radikale, WR: Mysteries of the Organism (1971).

Përderisa prezenca fizike e artistes dhe filmbërëses Barbara Hammer mund të jetë shuar, ajo ka lënë pas një mori veprash mahnitëse jo vetëm në krijimtarinë e saj, por edhe mbi atë se si idetë e saj vazhdojnë të jehojnë në jetërat dhe punën artistike të qindra filmbërësve të sotëm. Që nga viti 1972, Hammer kishte bërë përafërsisht 90 filma dhe video jo-lineare, metaforike, mes tyre edhe Generations (2010) si dhe  Maya Deren’s Sink (2011). Në vitet ‘70, Hammer u deklarua publikisht për orientimin e saj seksual në një kohë kur “të flisje dhe krijoje si artiste lesbike në botën e artit dominues dhe të flisje si artist avangard ndaj një audience homeseksuale’’cilësohej si akt politik. Çdo dekadë shënoi një drejtim të ri në punën e saj ngase ajo kurrë nuk ngarendte së eksploruari dhe zhyturi në rezervat më të thella të qenies së saj për të folur rreth seksualitetit, botës së gruas, sëmundjes, plakjes dhe vdekjes.

Pa pothuajse asnjë edukim filmik, kurreshtarja, e vetë-mësuara, tridhjetë e tre vjeçarja Agnes Varda shkroi dhe drejtoi filmin Cleo from 5 to 7 (1962). Për gjashtë dekada, krahas me filmat fiktiv të saj ishte edhe koleksioni i shkëlqyer i dokumentarëve të gjallë dhe të fuqishëm. Filmi i saj i fundit, dokumentari Varda by Agnes (2019), prezanton një master-klasë, përmbledhje në vetën e parë për Vardën në të nëntëdhjetat, e cila u dha art dhe jetë jo vetëm filmave të saj por edhe fotografive si dhe veprave të tjera multi-mediale dhe imagjinative.

Për më shumë se një gjysmë shekulli, Nju Jorkezët njohën Jonas Mekas si drejtorin themelues të East Village Anthology Film Archives, një sallon avangard i cili rregullisht ekspozonte një shekull të kinemasë eksperimentale. Por Mekas, i njohur si kumbara i filmit të pavarur Amerikan gjithashtu krijoi një asortiment të dokumentarëve ditarë, shkrimeve periodike si dhe dorëshkrimeve të cilat janë edhe të bollshme edhe magjepsëse. Ndërkaq Reminiscences of a Journey to Lithuania (1972) artistikisht kap kthimin e tij në vendlindje prej nga ai bashkë me të vëllanë u arratisën gjatë luftës së dytë botërore. Në njërin nga ditarët, letrat si dhe artikujt e shumtë të kritikave filmike, teorive dhe teknikave të tjera, Jonas Mekas ishte shprehur “Fare në fund, civilizimet prishen ngaqë dëgjojnë politikanët dhe jo poetët e tyre.”

Shpresojmë që do të na bashkoheni në nderimin që do ju bëjmë këtyre radikalëve të pazëvendësueshëm, Makavejev, Mekas, Hammer dhe Varda, filmbërës që kanë lënë gjurmë të thella në të gjitha imazhet që kemi parë dhe ato që do i shohim. Nuk kemi arsye të ndjejmë pikëllim për ta — por vetëm për mungesën që shkaktuan në ne.