12 August, 2020


Bashkërisht me gjithë të rejat e këtij edicioni të DokuFest, organizatorët e festivalit vazhdojnë t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë dhe diasporës, të cilët kanë përbërë për çdo edicion, një kategori të pjesëmarrësve dhe kanë qenë përherë një shtysë për vijimësinë e këtij festivali. Ndaj, për këtë vit kur ata e kanë të pamundur të na gjinden pranë si çdo herë e të jenë një mbështetje e padiskutueshme për punën tonë, ku largësia është tashmë një mënyrë për të mbrojtur veten e të tjerët, DokuFest vendosi të hapë një kategori të veçantë për gjithë emigrantët që ndodhen në Gjermani e në Zvicër, si një mënyrë për t’i falënderuar për gjithë këto vite mbështetje, e për të qenë bashkë në distancë, duke shpresuar t’i bëjmë të ndihen sadopak në shtëpi, edhe pse virtualisht.

Pikërisht kësaj kategorie specifike i është rezervuar Pakoja “Diaspora”, e cila është e disponueshme për t’u ndjekur nga gjithë residentët në Gjermani e Zvicër, nga data 7 deri më 15 gusht. Kjo paketë përmban 10 filma me metrazh të shkurtër dhe dokumentarë, të prodhuar nga artistë shqiptarë në botë. Paketat janë të ndara në dy, nga 5 filma e dokumentarë secila, ku pjesa më e madhe e këtyre filmave jepen për herë të parë në DokuFest, duke na dhuruar dhe kënaqësinë e premierës.

Tematikat e filmave dhe dokumentarëve janë të lidhura e të gërshetuara fort me jetën e përditshme të trojeve tona, me kulturën që na bashkon e me gjithë problematikat e shqetësimet, duke filluar nga jeta si refugjat, një çështje që prek e është plagë për ndoshta çdo familje shqiptare, tek problematikat që familjet hasin pasi humbasin të dashurit e tyre, dhe deri tek filma të lidhura me realitetin që po jetojmë, ku tregohet sesi një baba po e përjeton vetëizolimin e të birit si pasojë e pandemisë.

Tematikat që prekin këto dy pako nga 5 filma, janë të tilla që na mundësojnë të zhytemi në shqetësimet, problemet, sfidat e gëzimet e jetës së përditshme, na mundësojnë të prekim pak nga jeta reale e trojeve tona dhe na bëjnë të ndihemi në shtëpi, dhe përse mijëra kilometra larg fizikisht.

Nga Anisa Gjini