13/08/2022

Mbrëmja e kësaj të shtune shënon natën përmbyllëse të DokuFest. Për netë me radhë një mori filmash, filmbërësish, filmdashësish kanë shoqëruar orët e festivalit, teksa këtë të shtunë orët e fundit para përmbylljes janë emocionuese për këdo që është pjesëmarrës apo filmdashës i një produkti të caktuar të shfaqur në DokuFest. 
Juria për ditë me radhë është kujdesur që sipas kategorive të ndjekë me vëmendje filmat me qëllim që çmimet të shkojnë në vendin e duhur e të jenë të merituara. Filmat fitues do të shfaqen në kinema të ndryshme të DokuFest, duke shpallur kështu më të vlerësuarit e këtij edicioni. 
Emocioni për filmbërësit dhe pjesëmarrësit ka gjasë që të jetë si në ditën e parë që filmi është shfaqur, por në fund është një moment shpërblyes. Një moment për të falënderuar, për t’u dhënë sërish vëmendje atyre që e bëjnë festivalin, njerëzve, kineastë apo filmdashës qofshin ata, pasi pa pjesëmarrës, pa njerëz nuk mund të kishte festival. 
Teksa po në orën 20:00 në ceremoninë përmbyllëse që do të mbahet në “Lumbardhi” do të shfaqet edhe filmi i fundit, përmbyllës i këtij edicioni i zgjedhur jo pa qëllim për ta mbajtur këtë peshë. “Valsi i fundit” është më shumë se vetëm një nga filmat koncert më të mirë të krijuar ndonjëherë, është në të njëjtën kohë edhe mbledhje ekstatike edhe elegjike e epokës jetësore në rok muzikën amerikane. I ftuar të incizojë performancën lamtumirëse të grupit legjendar the Band në Winterland Ballroom në San Fransicko për Festën e Falënderimeve, më 1976, Martin Scorsese krijoi një lloj të ri të dokumentarit muzikor. Duke renditur shtatë kameramanë (të udhëhequr nga drejtori i fotografisë Michael Chapman, po ashtu duke përfshirë drejtorë të njohur të fotografisë si Vilmos Zsigmond dhe László Kovács) dhe dizajnerin e produksionit Boris Leven për të dizajnuar sete goditëse teatrale, Scorsese krijoi një përvojë jashtëzakonisht zhytëse që e sjell shikuesin në skenë dhe brenda vetë muzikës. Ajo muzikë – siç performohet nga the Band dhe nikoqir të artistëve të tjerë kryesues të gjeneratave, duke përfshirë Bob Dylan, Joni Mitchell, Van Morrison, the Staple Singers, Muddy Waters, dhe Neil Young – vazhdon të jetojë si një shprehje gati religjioze e mundësive të jashtëzakonshme të rok en’ rollit.
Një moment që do të shpërblejë këdo, për punën, dëshirën, përkushtimin dhe dashurinë e shprehur për DokuFest.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Agon Dana