11/08/2022

Krenare Zajmi Leti, Udhëheqëse e Marketingut në ProCredit

Përkrahja e Bankës Pro Credit për DokuFestin vjen natyrshëm duke pasur parasysh rëndësinë e këtij aktiviteti kulturor, si dhe ndikimin e tij ekonomik për Prizrenin dhe më gjerë, bashkë me mundësinë për të promovuar artin dhe kulturën vendore përtej kufijve, pohon Krenare Zajmi-Leti, Udhëheqëse e Njësisë së Marketingut në ProCredit. Në një intervistë për DokuStories ajo flet për partneritetin afatgjatë me DokuFestin. 


DS: Si partner prej 18 vitesh i DokuFest-it, ju i keni bërë thirrje audiencës që të jenë sërish pjesë e këtij festivali, i cili mbledh shumë artistë vendorë dhe ndërkombëtarë. Çfarë vlerash sjell sivjet bashkëpunimi juaj me DokuFest-in?
Zajmi-Leti: Për Bankën ProCredit, arsyeja e ekzistencës së vet është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik afatgjatë, prandaj dhe aktivitetet tona biznesore ia përkushtojmë arritjes së këtij qëllimi. 
Ndonjëherë, ky qëllim nënkupton heqjen dorë nga fitimi i lehtë në favor të qasjes së kujdesshme karshi investimeve dhe dëshirave për konsum të klientëve. Shikuar nga jashtë, kjo qasje mund të perceptohet si e mërzitshme, mirëpo për ne është emocionuese dhe përmbushëse, sepse përmes aktivitetit tonë financiar sigurohemi për mirëqenien e ekonomive familjare dhe të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Banka ProCredit kujdeset për aspektet sociale të ekonomisë dhe të të bërit biznes bazuar në vlera dhe parime, prandaj dhe kemi qenë pjesë jetike e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe transformimit shoqëror drejt një vendi me vlera dhe standarde evropiane. 
Koncepti i përkrahjes së partnerëve në periudha afatgjata është i ngulitur thellë në strategjinë tonë. Kjo praktikë, jo vetëm që aplikohet ndaj klientëve tanë, si të biznesit, ashtu edhe privatë, por është edhe pjesë e pandashme e çdo partneriteti tjetër. Për vite me radhë kemi sponsorizuar shumë ngjarje kulturore dhe njëra ndër to, e që e kemi shumë për zemër, është DokuFest-i. 
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij aktiviteti kulturor në vend, si edhe ndikimin ekonomik që DokuFest i sjell qytetit të bukur të Prizrenit, por edhe më gjerë, si dhe mundësinë për të promovuar artin dhe kulturën tonë përtej kufijve, përkrahja që Banka jonë i jep këtij festivali padyshim që vjen natyrshëm. Jemi shumë të lumtur që e kemi mbështetur DokuFest-in dhe i kemi qëndruar pranë prej 18 vjetësh përgjatë rrugëtimit të tij argëtues plot gjallëri, sfida dhe arritje. DokuFest është në mesin e 24 festivaleve që nominojnë një film të shkurtër dhe një film artistik për çmimin kryesor në Akademinë Evropiane të Filmit, ndaj dhe jemi jashtëzakonisht krenarë që jemi përkrahës të një festivali të këtij niveli.   
Për më tepër, mesazhi që e shoqëron këtë vit festivalin “Si të mbijetojmë” është i ngulitur thellë edhe në strategjinë e Bankës ProCredit për mjedisin. Banka ProCredit vazhdimisht analizon ndikimin mjedisor të operacioneve të veta dhe i përshtat objektivat e veta, duke qenë shembull për mënyrën e qëndrueshme të të bërit biznes. Mesazhi ynë se si të mbijetojmë dhe ta mbrojmë mjedisin është direkt: kjo arrihet nëse secili prej nesh kujdeset për mjedisin, qoftë si biznes që ul ndikimin negativ nga operacionet e veta biznesore, qoftë si individ.

DS: Çfarë lehtësish ofron sivjet Banka ProCredit për pagesat në DokuFest?  
Zajmi-Leti: Përveç mbështetjes strategjike tashmë disavjeçare si partner, Banka ProCredit ofron për të gjithë klientët tanë artdashës mundësinë e blerjes se biletave dhe elementeve të tjera përcjellëse të festivalit duke u ofruar Bonus 50% për blerjet me kartelë MasterCard. Gjithashtu, ia vlen të përmendet se tash e sa vite DokuFest-i ka një sistem modern të pagesave që u ofron të gjithëve mundësinë t’i blejnë biletat edhe online, 24/7. Kjo është arritur falë teknologjisë së implementuar nga Banka ProCredit dhe ndarjen e eksperiencës sonë në fushën e digjitalizimit me DokuFest.
Ne besojmë thellësisht që këta stimuj janë urë lidhëse me një bankë si ne që e mbështet artin, një organizatori të një festivali kaq madhështor siç është DokuFest dhe ne anën tjetër arrimë qëllimin final siç është edhe krijimi i lehtësirave për vetë klientët tanë dhe thellimi i relacioneve me ta.

DS: Pse duhen krijuar partneritete afatgjata me ngjarje të tilla kulturore?  
Zajmi-Leti: Arti është ndër format më të bukura përmes të cilit shkëmbehen mesazhe, ide dhe kultura të ndryshme. Çdo shkëmbim i tillë i kulturave e pasuron individin. Brenda Grupit të Bankave ProCredit kemi diversitet të pasur kulturor. Në selinë tonë në Gjermani janë mbi 30 kombësi. Po ashtu, kemi fokus të veçantë tek balanca gjinore, ku 50% e menaxherëve tanë të lartë dhe të mesëm janë gra. Kjo konsiderohet pasuri jashtëzakonisht e çmuar. Në përputhje me këtë, është e pritshme që përkrahja e ngjarjeve të tilla kulturore që trajtojnë tema sociale, që përfaqësojnë shtetin, kulturën dhe artin tonë para botës, të jenë shumë të rëndësishme për ne.