12/08/2021

Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe DokuFest paralajmëruan bashkëpunimin e ndërsjellë, i cili do të mbështesë vajzat dhe djemtë e rinj që duan të bëjnë filma dokumentar për të drejtat e njeriut. Drejtori i DokuLab, Eroll Bilibani dhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport njoftuan për projektin e përbashkët gjatë edicionit të 20-të të DokuFest.

“Jam shumë i lumtur që përmes grantit të OSBE-së për DokuFest-in do të vazhdojmë të mbështesim filmbërësit e rinj. Vitin që vjen do të kemi filma që do të shfaqen në DokuFest si rezultat i bashkëpunimit tonë”, tha Bilibani, derisa falënderoi këtë mision për mbështetjen e dhënë festivalit që nga fillimi. 

Ambasadori Davenport në fillim përgëzoi DokuFest-in për arritjet gjatë dy dekadave të shkuara.

“Jam vërtet i lumtur që Misioni i OSBE-së në Kosovë siç e thoni ju, ka qenë krah jush, që nga fillimi. Ne kemi qenë të përfshirë në shumë iniciativa, por gjithmonë kemi përfituar nga entuziazmi juaj i jashtëzakonshëm, energjia, ekspertiza dhe qëndrueshmëria e madhe, vendosmëria, për të arritur atë që keni bërë. Në një mënyrë ashtu kemi mundur të përfitojmë nga njëri tjetri. Jemi këtu gjithashtu për të filluar projektin e përbashkët në mes të DokuFest-it dhe Misionit të OSBE-së, i cili ka të bëjë me mbështetjen e vajzave dhe djemve të rinj, të cilët janë të interesuar në realizimin e filmave dokumentar. Në të vërtetë, qëllimi ynë është që gjatë 12 muajve të ardhshëm me mbështetjen dhe ekspertizën tuaj të menaxhojmë kampet dyjavore që i kushtohen zhvillimit të talentit të 20 të rinjve, që veçanërisht janë të interesuar në krijimin e dokumentarëve që përqendrohen në të drejtat e njeriut”, tha Davenport.

Ai ftoi talentet e reja të ndjekin udhëzimet për aplikim në ueb-faqet e DokuFest-it dhe OSBE-së si dhe platformat e tyre në rrjetet sociale. “Kjo është shumë emocionuese për neve, sepse gjithmonë na ka pëlqyer të fillojmë gjëra të reja dhe siç e thoni, objektivi është që në DokuFest 2022, kur të festojmë ditëlindjen tuaj të 21-të, presim që të mund të shfaqim të paktën njërin nga filmat që janë produkt gjatë punës në 12 muajt e ardhshëm. Do të donim të ftojmë djemtë dhe vajzat e reja që janë të interesuar në filmin dokumentar dhe kanë pasion për të drejtat e njeriut të na ndjekin në ueb-faqet tona dhe rrjetet sociale”. 

Davenport beson se DokuFest-i ka dëshmuar se edhe filmbërësit e rinj mund të arrijnë audiencën botërore.

 

“Në duam të inkurajojmë dhe mbështesim filmbërësit e rinj të filmave dokumentar që të synojnë të përsosurën dhe të arrijnë audiencën botërore. Jam shumë i bindur se me atë që keni arritur ju deri më tani një gjë e tillë është absolutisht reale”, përfundon kreu i Misionit të OSBE-së në Kosovë.