11/08/2022

Reflektimi mbi problematikat në të cilat takon sot industria e kinematografisë dhe sidomos ajo e filmave dokumentarë është patjetër një tematikë e cila nuk mund të lihej jashtë vëmendjes në “DokuTalks”. Pasditen e kësaj të mërkure në oborrin e shtëpisë së “Shani Efendi” një panel i përbërë nga 4 kineastë dhe i moderuar nga Dea Gjinovci solli në vëmendje pikërisht problematikat të cilat jo rrallëherë i vënë filmbërësit përpara dilemës nëse duhet apo jo ta fikin kamerën.  
Sofia Bohdanowicz, Nataša Urban dhe Keti Stamo ndanë së bashku eksperiencat e tyre për të kuptuar më mirë atë që ndodh dhe natyrisht për t’i bërë edhe të pranishmit pjesë të punës së tyre. 
Për filmbërësen nga Serbia Nataša Urban nuk qe e lehtë të tregonte rreth eksperiencës së saj në një film ku pyeten pikërisht njerëzit e saj të afërt lidhur me ndodhitë në ish- Jugosllavi dhe Srebrenicë. 
“Gjithmonë kam menduar se do të ishte shumë e thjeshtë të vija në këtë panel dhe të flisja, por tani e kuptoj që është e vështirë të flasësh se si të mbijetosh. Në fakt, më duhet të them që ideja për filmin nuk ka ardhur tek unë me qëllim, por natyrshëm diçka ndodhi. Një vajzë të cilën e kisha si vajzë ndërroi jetë, kështu që pas gjendjes së keqe emocionale kuptova se nëse doja të shërohesha, duhej të përballesha me dhimbjen. Fillimisht fillova ta bëj vetë punën ku nisi e gjithë puna, fillova të merrja informacione dhe të lexoja me muaj e muaj të tërë këtë informacion për gjenocidin dhe vetëm pasi lexova dhe u informova atje fillova të përballesha me familjen time. Gjithmonë e kam ditur se kam dashur ta bëj këtë film shumë personal. Duke bërë këtë film më thyen, isha në depresion dhe ankth për gati një vit e gjysmë. Më është dashur të marr ilaçe, por kam kuptuar që duhet bërë sepse disa gjëra në Serbi kalohen në heshtje, kur bëhet fjalë për gjenocid dhe ngjarje të tilla. Filmi do të shfaqet në kinematë në Serbi në nëntor dhe nuk e di se si do të pritet atje. Sigurisht që ka këndvështrime të ndryshme për të cilat nuk jam shumë e qartë, por gjatë xhirimeve të filmit kam pasur disa ngjarje të pakëndshme me miqtë e mi, sepse siç thashë nuk flasim për atë që ndodhi në Jugosllavi, çfarë ka ndodhur në Srebrenicë, kështu që ju nuk e dini se ku qëndrojnë njerëzit përreth jush me respekt”.
Ky ishte vetëm një nga qëndrimet që ndau vetëm një nga anëtarët e panelit, duke i bërë pjesëmarrësit të reflektojnë mbi detyrën e rëndësishme por jashtëzakonisht të vështirë të realizimit të një filmi dokumentar.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Elmedina Arapi