06/08/2022

Përballë krizës klimatike, një sistemi të harxhuar të rrjeteve ekologjike, lidhjeve të prishura të habitatit dhe larmisë së humbur kulturore dhe gjuhësore në një planet të dërmuar nga mizoritë njerëzore, njerëzit janë në gjendje të mbijetesës. Sjellja e drejtësisë, bollshmërisë, miqësisë dhe gjallërisë për të gjithë do të jetë shqetësimi kryesor për dekadat në vijim, si një sprovë e jashtëzakonshme e historisë së njerëzimit, dhe kjo kërkon një kulturë dhe praktikë të rezistencës në përditshmëri. Ky paragraf ka paralajmëruar temën e diskutimit të parë në DokuTalks, me moderatoren: Defne Koryürek, dhe panelistët: Ares Shporta, Sevil Baştürk, Levon Bagış dhe Jeton Jagxhiu. 
Këta panelistë teksa janë përballur me pyetjen se si mund të krijohen praktika të reja për tu përballur me krizën aktuale, kanë sjellë shembuj nga puna e tyre e përditshme, qoftë në krijimin e hapësirave publike kulturore dhe hapësirave të përbashkëta për komunitetin, por edhe përvojat nga puna e tyre kërkimore në terren. 
Ares Shporta nga Fondacioni Lumbardhi ka shpalosur përvojën e tij, jo edhe aq të këndshme e të lehtë, me kinemanë Lumbardhi në Prizren, një histori që në vete ka përmbajtur rebelim të përditshëm për ta mbrojtur këtë aset kulturor nga rrënimi e privatizimi, e deri te krijimi i një hapësire publike kulturore në shërbim të komunitetit. “Më e vështira ka qenë artikulimi i misionit”, thotë Shporta, teksa sqaron se Lumbardhi ka qenë një trashëgimi e kontestuar, por se mobilizimi i komunitetit që e ka trajtuar atë si pjesë të memories kolektive ka bërë që ai të ruhet dhe të vihet në shërbim të qytetarëve e artistëve, jo vetëm vendorë por edhe ndërkombëtarë. 
Ndërsa panelistja Sevil Baştürk para të pranishmëve ka sjellë përvojat lidhur me lëvizjet për mbrojtjen e hapësirave të gjelbra në Gezi dhe Roma Bostan në Stamboll, që kanë sjellë me vete angazhimin e komunitetit kundër tjetërsimit urban. Sipas saj angazhimi në këtë drejtim ka treguar se mund të krijohen praktika të reja të trajtimit të hapësirave publike, duke ndryshuar edhe ekosistemin e lagjeve. “Kjo varet nga ne, nga ajo se në çfarë qytetesh duam të jetojmë në të ardhmen, dhe a jemi të gatshëm që të marrin vendime bashkë, por edhe të rezistojmë bashkë”, shprehet ajo, duke shprehur bindjen se dy shembujt e mësipërm janë shpresëdhënëse për këtë. 
Si rrjedhojë e angazhimit, Lumbardhi me programin “Lumbardhi Përsëri Publik” është ndër fituesit e Çmimeve të Trashëgimisë Europiane / Çmimeve Europa Nostra për vitin 2022. “Ndikimi që ka pasur nisma “Lumbardhi Përsëri Publik” në komunitetin lokal është shumë cilësor dhe dallohet për mënyrën se si ka ndikuar në politikat dhe qëndrimet e trashëgimisë kulturore në rajon e më gjerë. Angazhimi kreativ i të rinjve në aktivitete është i lavdërueshëm dhe bën të dukshme vlerat e shumta të vendeve të trashëgimisë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të qyteteve”, theksoi juria e Çmimeve. 
Ceremonia lokale e Çmimeve të Trashëgimisë Evropiane / Çmimeve Europa Nostra do të mbahet të dielën në Kino Bahçe.

Fotografia: Elmedina Arapi