14/08/2020

Raundi i parë i DokuTalks, një seri bisedimesh dhe diskutimesh që mbledh profesionistë të industrisë gjatë mbajtjes së DokuFest, nisi me sukses të martën, me 11 gusht. Ky event prezantoi për publikun Anna Serner, si CEO e Institutit Suedez të Filmit dhe aktiviste e njohur e barazisë gjinore, dhe Brigid O’Shea si drejtuese e DOK Industry, pjesë e DOK Leipzig si dhe anëtare themeluese e Shoqatës së Dokumentarëve të Europës. Duke pranuar sfidat dhe paqartësitë e sektorit audiovizual që vazhdojnë të mbizotërojnë për shkak të pandemisë globale, biseda e Serner dhe O’Shea kishte si qëllim adresimin e një serie hapash lehtësuese për të përqafuar një botë përtej vitit 2020, quajtur ndryshe dhe “normaliteti i ri”.

Si një mënyrë për të parë përpara, Brigid sugjeron që biseda duhet të hapet duke shkuar mbrapa në kohë dhe duke shqyrtuar përvojat e kaluara që kanë çuar deri në këtë pikë që njohim sot. Ndaj, diskutimi përqëndrohet tek vlerat thelbësore, si diversitetin dhe përfshirjen. Për Anna, thelbi i angazhimit të saj është qëllimi për të bërë punë të mirë, dhe kjo është arsyeja pse gjatë përvojës së saj në industrinë e filmit, ajo gjithmonë ka insistuar në mbledhjen e këndvështrimeve të ndryshme
që ekzistojnë mbi jetën, e përqendruar posaçërisht në ato këndvështrime që kanë vështirësi të arrijnë gjer tek audienca dhe tek ato që vuajnë nga cilësia. “Megjithatë”, shprehet Anna, “piketimi i një diskriminim i hap rrugë një tjetri, dhe gjithë përpjekjet tona janë që Suedia të arrijë më të mirën e mundshme në botën e filmit”.
Brigid, kurioze për përvojat e mëparshme të Annas në fushën e medias dhe organizatave jo- qeveritaire, për shkak të natyrës më bashkëpunuese të punës, pyet veten për përshtatjen e saj në sektorin audioviziv. Anna e përkufizon tranzicionin si të vështirë, ndërsa vë në dukje dallimet midis organizatave që punojnë kryesisht për interesin e tyre, dhe institutit i cili punon më afër industrisë për shkak të financimit publik që bën. Sipas përvojës së saj, një mënyrë për t’u përshtatur në ambientin e filmit është të jesh këmbëngulës për të ecur përpara, por në të njëjtën kohë duke qëndruar pranë industrisë. Nga ana tjetër, për Brigid, ideja e një industrie filmi që punon në izolim është e pasaktë, sepse puna e parë që duhet bërë është të rikrijohen dhe të ushqehen besimi dhe marrëdhëniet që janë prishur, duke filluar nga audienca që duhet t’i ribesojë sallave të kinemasë si pikë takimi. Për më tepër, Brigid thotë se ajo “refuzon të kthehet në atë çfarë ishte industria në shkurt” ndërkohë që vë në pikëpyetje se cilat qasje të Annas kanë ndryshuar rrënjësisht në lidhje me diversitetin dhe përfshirjen që nga fillimi i pandemisë.
Për Anna, mënyrat e ndërlidhjes mes njerëzve me të vërtetë janë ndërprerë, megjithatë, ajo vlerëson tre muajt e fundit të pandemisë si një mjet reflektimi në lidhje me thelbin e shoqërisë dhe kuptimin e të qenurit njerëzor. Të konsumosh kulturë dhe të flasësh për të, thotë ajo, i ka bërë të gjithë të kuptojnë se të kthehesh tek thelbësorja është ajo çfarë na duhet që të ecim përpara. Duke
marrë si shembull lëvizjen Black Lives Matter që ka fituar vëmendjen ndërkombëtare gjatë pandemisë, Anna thotë se “thelbi është të besosh që kultura mund të mbështesë shoqërinë tonë njerëzore, vetëm nëse ka kujdes nga të gjithë”.
Ky reflektim i shërben Brigidit për të vënë në shqyrtim marrëdhëniet që ekzistojnë midis institucioneve dhe industrisë. “Kryesorja”, thotë Anna, “është të ftosh njerëzit që nuk kanë pasur rastin më parë të jenë pjesë e strukturave”. Ajo pajtohet me idenë që ekziston një nevojë urgjente për të rishikuar strukturat dhe për të ndryshuar protokollet (përfshirë marrjen dhe vlerësimin e
filmave), në mënyrë që të krijohet një narrativë të re. Brigid sjell vëmendjen tek fakti se puna e parë që duhet të bëhet, ndër shumë të tjera, është të prishet misogjinia e brendshme, si një mënyrë për të shprehur pengesat e padukshme (qoftë financiare, psikologjike, apo kulturore) që pengojnë njerëzit të ndërmarrin iniciativa. Ajo dhe Anna pajtohen që fokusi kryesor duhet të jetë komunikimi, në të gjitha nivelet. Nga kjo pikë, Anna sugjeron që duhet të ndërtohet një plan veprimi: thyerja e pavetëdijes së kryerjes së veprimeve, sensibilizimi i të tjerëve, si dhe dhënia e modelit janë hapa efektivë për të sfiduar atë që duket e pamundur.
E pyetur nëse qasja e saj për punën ka ndryshuar me pandeminë, Anna thotë se gjithmonë ka ekzistuar nevoja për të prishur strukturën aktuale. Sidoqoftë, vështirësitë financiare kanë nxjerrë në dritë një seri dilemash në lidhje me financimin. Në fund, thotë ajo, përparësi do t’i jepet tregimeve brenda kulturës, ndërsa gradualisht do të ndryshojnë burokracitë e përzgjedhjes. Vendimet duhet të merret edhe nga njerëzit që konsumojnë tregimet. Kjo tregon një marrje në konsideratë të asaj që publiku dëshiron të shohë në kinema, ndërsa ndershmëria, hapja dhe kurioziteti midis Institutit Suedez të Filmit dhe industrisë ka ndihmuar në formimin e përparësive. Për Brigidin, mbetet vetëm kohë për të vërtetën, duke e bërë këtë periudhë një mundësi të shkëlqyeshme për të ndryshuar duke qënë se nuk ka zgjidhje tjetër.

“Përtej 2020, drejt një normaliteti të ri” është në dispozicion për të interesuarit në platformën online të DokuFest.

Nga Enxhi Noni