08/08/2021

Në gusht Prizreni kthehet në një qytet të bërë prej kinemash. Mund të shohësh filma dhe dokumentarë në sallat e kinemasë së qytetit, po aq sa mund të shohësh filma edhe duke shëtitur në qytet.

Përdorimi i hapësirave publike si kinema, është tanimë një traditë në DokuFest, ku vizitorët mund të njohin qytetin, ndërkohë që shohin disa prej filmave të programit të DokuFest.

Për këdo që nuk ka qenë në Prizren në këtë periudhë, duhet të dijë se xhiroja e qytetit është shumë herë më e këndshme ndërsa sheh njerëzit, vendas e të huaj që duan filmin të bëhen bashkë. Prizreni njihet si një hapësirë e rëndësishme kulturore e historike e ku mund të vizitosh vendet ku kanë ndodhur ngjarje të rëndësishme në historinë e shqiptarëve.

Tanimë krahas turizimit kulturor e artistik i shtohet dhe eksperienca e veçantë e të parit të filmave në vende si bri lumit në ‘Kino Në Lum’, por edhe në hapësirat e krijuara në Kalanë e Prizrenit.

Lunar dhe Sonar Cinema janë dy kinema të hapura që ndodhen fill në fund të shëtitjes në kala. Pas rrugës së pjerrët e të përpjetë prej nga mund të shihen pamje prej së lartmi të qytetit, takimi i fundit me qytetin është edhe shijimi i kësaj hapësire që nuk vizitohet vetëm për arsye historike.

Në Kalanë e Prizrenit do të shfaqen, deri më datë 14, filma dokumetarë, filma të shkurtër dhe performanca të ndryshme muzikore, të cilat sjellin reflektime e histori dhe argëtim nga vende të ndryshme të botës.

Eksperienca e të parit këto punë të shkëlqyera në një nga pikat më të frekuentuara të qytetit, sjell edhe ndjesinë e privatësisë dhe të përjetuarit e këtij vendi si një hapësirë intime e private. Njerëz me pijet e tyre në dorë, në shoqërinë e shumë dashamirësve të tjerë të filmit e muzikës zënë rradhën për të kaluar kohë në mbrëmjet e freskëta duke e shijuar këtë qytet në plotësi.

Hapësirat në këtë qytetet ndërthurin më së miri jetën e zhurmshme të verës dhe të qenurit në kontakt me krijimet më të mira filmike e dokumentare.

 

Në Kala mund fare mirë të kesh një pamje të mrekullueshme të qytetit, e njëkohësisht të njohësh dhe shpirtin e këtij vendi që zhvillohet dita ditës. Ndaj nëse je në Prizren mos e humb mundësinë për të përjetuar këtë eksperiencë mbreslënëse. Ndërkohë që ndjen jetën që rrjedh në qytet, shijo në qetësi e udhëto në vende të ndryshme në mendje mes filmave, historive dhe krijimeve që vijnë nga e gjithë bota.