10/08/2022

Në morinë e synimeve dhe asaj që “DokuFest” kërkon të përcjellë, të perceptuarit nga një perspektivë më e afërt të zhanreve të ndryshme të artit është patjetër diçka që ky festival kërkon t’ja ofrojë publikut. Takimi nga afër me një artist, për shumë të tillë mendohet se e zbret veprën nga piedestali në të cilin publiku vetë e vendos, ndërsa për të tjerë vepra bëhet më e ndjerë, më e afërt, më e prekshme duke marrë më shumë vlerë. Mesditën e kësaj të mërkure në hapësirën e “KinoKlubi” të pranishmit patën mundësinë të takoheshin dhe të zhvillonin një bisedë me dy artistë, mysafirë të festivalit siç janë  Maryam Tafakory dhe Morgan Quaintance. 
Biseda u moderua nga Pamela Cohn e cila përmes pyetjeve të saj zbuloi shumë anë të brendshme të dy artistëve të cilët janë secili specifikë në artin dhe formën e tyre të të prodhuarit art. 
Nga ku rrjedh arti dhe dëshira për të krijuar? Si lind ky proces dhe si materializohet në një vepër? Sa ndikojnë eksperiencat personale tek një artist në atë çfarë ky i fundit krijon? 
Të gjitha këto pyetje dhe të tjera të drejtuara jo vetëm nga Pamela Cohn por edhe nga të pranishmit në sallë morën përgjigje të menjëhershme nga artistët të cilët nga rehatia e kolltukut mundën të bënin një xhiro në thellësinë e unit të brendshëm të krijuesve që kishin përballë. Diskutimi u shoqërua me materiale filmike të prodhuara nga Tafakory, dhe Quintance duke e bërë kështu procesin e të biseduarit më çlodhës, por duke e mbajtur publikun të lidhur fort me atë çfarë po diskutohej në sallë. 
Quintance i cili ndau me të pranishmit disa detaje nga realizimi i punëve të tij e konsideroi procesin e të krijuarit si një nevojë të brendshme të tijën, e cila erdhi si pasojë e gjërave nga të cilat ai vetë rrethohej në kohën kur punonte për atë material. 
Ndërsa Tafakory u ndal tek procesi i të krijuarit dhe shprehja e unit të brendshëm duke marrë si referencë ndjenjat dhe duke ju referuar atyre si gjëra materiale të cilat duhen materializuar përmes artit. Sipas saj ky materializim shpeshherë vjen në mënyrë të pavullnetshme, por instiktive për të nxjerrë jashtë unin e brendshëm dhe ndarë atë me të tjerët. 
Artistja nga Irani, Maryam Tafakory është gjithashtu edhe filmbërëse që inkorporon imazhet filmike me poezinë dhe të tjera materiale nga arkivat. Ndërsa Morgan Quaintance është një shkrimtar dhe artist që karrierën e ka të bazuar në Londër, por ekspozitat e tij janë shfaqur në një sërë hapësirash të ndryshme artistike në vende të ndryshme të botës. 

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Esad Duraki