06/08/2022

DokuFest nisi të premten mbrëma me ceremoninë në “Lumbardhi Bahçe” që mblodhi bashkë miq nga anë e mbanë globit, duke i çelur udhën një morie aktivitetesh të këtij edicioni. Në të tilla netë, të pranishmit, me të drejtë presin që organizatorët të mbajnë fjalën e rastit dhe t’i urojnë atyre mirëseardhjen. Por në DokuFest e zakonshmja nuk është fjala e preferuar. 
Aktori i ri Redon Kika, një ndër më premtuesit e kinematografisë shqiptare interpretoi më së miri fjalët e shkruara nga Veton Nurkollari dhe Samir Karahoda, që çelën kështu festivalin. “Hoë to survive?” ishte pyetja që si një refren i festivalit u shtrua nga ky aktor i ri për secilin nga të pranishmit. Në fytyrat e tyre vihej re etja për të zbuluar surprizat që kishte rezervuar për ta kjo hapje e DokuFest. 
“Ishte mjaft emocionuese për mua, të mbaja peshën e hapjes së DokuFest, ndonëse jam aktor profesionist. Të jesh pjesë e një festivali kaq të madh sa DokuFest dhe të të besohet për më tepër hapja e tij, përpara një publiku me rreth 500 vetë është një fat dhe një përgjegjësi e madhe. Teksti është shkruar nga Veton Nurkollari dhe Sami Karahoda dhe u ndjeva vërtetë i privilegjuar të përcillja fjalët e tyre lidhur me një çështje kaq të rëndësishme siç është mbijetesa. Një çështje për të cilën nuk flasim shpesh, ndaj ditë pas dite po e harrojmë. Është një temë për të cilën duhet ta ngremë zërin më shumë sepse mesa duket gjithnjë e më shumë po shkojmë drejt fundit ”, tregon mes emocionesh aktori Redon Kika. 
Publiku u prezantua me temën kryesore të festivalit përmes perspektivës vizuale të të talentuarit, regjisorit tashmë të njohur Leart Rama. Përmes një produksioni filmik 15 minutësh të realizuar enkas për ceremoninë hapëse të DokuFest dhe imazheve ndonjëherë shqetësuese, ndonjëherë të këndshme, të zakonshme e të jashtëzakonshme nga përditshmëria e qytetarëve të globit Rama ja doli ta bënte publikun të mendonte.
“Ndihem vërtetë shumë mirë, të bëj diçka për DokuFest është si të bëj diçka për familjen time. Ky është viti i dytë radhazi, që ceremonia e hapjes më besohet mua, por ky vit ishte një sfidë e bukur pasi mu desh të bëja një film përfundimin e të cilit nuk e përfytyroja dot. Ndaj natyrisht kur së bashku me narratorin e pamë për herë të parë filmit të përfunduar u magjepsëm edhe ne. DokuFest kur te beson diçka, të beson vërtetë diçka, pa patur nevojën për të ndjekur procesin e zhvillimit të saj. Të gjithë e kanë parë filmin për herë të parë në hapje, ishte një surprizë për të gjithë”, tregon Leart Rama. 
Më pas mbrëmja vijoi me shfaqjen e filmit “Fire of Love”, një produksion që mbajti të ngulur përpara ekranit cilindo të pranishëm. 
Kështu, edicioni i 21-të nisi, për t’i dhuruar publikut për 9 ditë filma, muzikë, debate dhe natyrisht, shumë po shumë dashuri nga ky qytet i vogël me dashuri të madhe…

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Esad Duraki