Shfaqje speciale: Forgiving the Blood

July 13, 2019

Dokumentari i BBC-së ‘Forgiving the Blood’ do të ketë shfaqjen e tij speciale për edicionin e tetëmbëdhjetë të DokuFest. Me regji të Melissa Llewelyn Davis dhe me Lala Meredith-Vulën si hulumtuese kryesore, filmi ndjek lëvizjen masive për faljen e gjakmarrjes që zuri fill në mesin e popullatës shqiptare në vitet e 90a.

Lëvizja nisi me një grup studentësh radikalë të cilët kishin rekrutuar Profesorin e Folklorit në Universitetin e Prishtinës, Anton Çeta, për t’i udhëhequr ata përgjatë vështirësive dhe konflikteve të klaneve. Filmi prezanton si rast studimi njërën nga familjet e fundit, në vitin 1991, e cila refuzonte t’ia falte gjakun e djalit të tyre të vrarë familjes së vrasësit të tij. ‘Forgiving the Blood’ është një shembull i mirë i përdorimit vizual etnografik të një rasti të vetëm për të zbuluar një histori shumë më të gjerë dhe më të thellë politike. Ndër të tjera, filmi shqyrton mënyrat se si një familje bujqësore margjinale arrin t’i rezistojë presionit të madh për të folur dhe për të vepruar si anëtare e një qytetarie kombëtare.

Ne jemi jashtëzakonisht krenarë të mirëpresim shfaqjen e parë publike të këtij filmi në Kosovë, me datën 7 Gusht, tek Kino Lumbardhi duke filluar prej orës 20.00. Melissa Llewelyn Davis, Lala Meredith Vula dhe Neriman Kamberi do të jenë prezentë dhe do të marrin pjesë në një diskutim pas shfaqjes së filmit.

Foto nga Lala Meredith Vula

July 31, 2019

DokuKids 2019

July 15, 2019

Konkurs pune

October 1, 2018