LABORATORI I ANTROPOLOGJISË VIZUALE: Kufijtë: kujtimet, praktikat dhe idealet

July 16, 2019

Në partneritet me Departamentin e Universitetit të Shqipërisë, jemi të lumtur që këtë vit mbajmë sërish një punëtori nga Laboratori i Antropologjisë Vizuale në DokuFest.

Kufijtë: kujtimet, praktikat, idealet

Për një kohë të gjatë, antropologët janë marrë me çështjet e kufijve duke dashur mbase t’i tejkalojnë ato. Në terma të gjerë, kufijtë qoftë si territore fizike apo mentale, reprezentojnë dinamikat e ndarjes, dallimeve, ndalimit, takimeve dhe shkëmbimeve. Brezat kufitarë u ofrojnë hulumtuesve një shembull të qartë të një zone me status specifik social, ekonomik, ligjor dhe politik duke përfshirë thelbin e asaj se çfarë kufijtë janë si produkte historike të marrëdhënieve të pushtetshme të shteteve moderne.

Kufijtë e ndërtuar nga shtetet moderne kanë formësuar dukshëm jetët e njerëzve. Në vend të urave, bota bashkëkohore po ngre gardhe, mure rrethuese dhe kufij. Për më tepër, ne jemi dëshmitarë se si parimi i sigurisë po shkatërron një sërë të formave të lirisë nëpërmjet kufizimeve të të drejtave të qytetarëve dhe zbatimit të kontrolleve kufitare për “të huajt”. Një kulturë e frikës dhe pasigurisë së përgjithësuar është vulosur në shoqëritë e sotme prej paradigmës së post-të vërtetës e cila po fiton terren në diskurset globale bashkëkohore dhe nacionale politike. Ajo që dikur ishte idealja e një bote pa kufij e që formësoi shpresat e të shumtëve pas rënies së komunizmit, sot i ngjan një vizioni utopik.

Edicioni i katërt i Laboratorit të Antropologjisë Vizuale hulumton mënyrën se si kufijtë ndikojnë jetët e njerëzve. Katër ekipe të studentëve kanë dokumentuar vizualisht një numër tregimesh mbi atë se si komunitet kufitare e përjetojnë kufirin politik midis Shqipërisë dhe Kosovës. Këto takime vizuale do të jenë bazë për diskutimet mbi kujtesën, perceptimet, praktikat dhe idealet e njerëzve drejt kufijve mbi liritë që janë ngritur historikisht dhe vazhdojnë të mbështeten edhe sot nga shtetet moderne.

Koha: 09:30 – 13:00

Datat: 08/09/10 Gusht

Lokacioni: Kino Klub

Gjuhët: English/Shqip

July 31, 2019

DokuKids 2019

July 15, 2019

Konkurs pune

October 1, 2018