03 – 11 August 2018
Edition XVII

03 – 11 August 2018
Edition XVII

SONIC REFLECTION: MUZIKA NË FILM

July 12th, 2018

DokuFest ka kënaqësinë të shpallë programin e dokumentarëve mbi muzikën për edicionin e ardhshëm të festivalit, që do të mbahet nga 3 deri 11 gusht në Prizren, Kosovë.

I përbërë nga 6 filma, “programi Sonic Relections këtë vit mbi të gjitha ka të bëjë me individë të fortë, qoftë për reperen suedeze, për sensacionin e hip-hopit të Shri Lankës, ikonën hermafroditë apo pionierin e muzikës elektronike, por edhe për pankerët në shkretëtirë dhe këngëtarët polifonik unik shqiptar “, thotë Veton Nurkollari, drejtor artistik i DokuFest.

Desolation Center nga Stuart Swezey  është një dokumentar për historinë e pafolur e një serie ngjarjesh punk roku anarkik të epokës Regane që akoma jehojnë nëpër kulturën tonë dhe janë të njohura si frymëzim për festivalet Burning Man, Lollapalooza, dhe Coachella me intervista dhe pamje të rralla të Sonic Youth, Minutemen, Meat Puppets, e të tjera.

Filmi i Sophie Fiennes – Grace Jones: Bloodlight and Bami është historia e Grace Jones që luan rolin e një gruaje të egër, të frikshme dhe hermafroditë. Megjithatë ne e kemi mundësinë ta shohim si të dashur vajzë, nënë, motër dhe gjyshe – duke u dorëzuar para nesh dhe na lejon ta kuptojmë se çfarë fshihet prapa kësaj maske.

MATANGI / MAYA / M.I.A. i Stephen Loveridge është më pamje nga kasetat personale të incizuara nga Maya Arulpragasm dhe miqtë e saj më të afërt përgjatë 22 viteve tëfundit, duke e kapur udhëtimin e saj të shquar nga adoleshentja emigrante në Londër, në popstarin ndërkombëtar që është sot.

Nën regjinë e Stephen Nomura Schible, RYUICHI SAKAMOTO: async AT THE PARK AVENUE ARMORY është një film me performancë live i xhiruar gjatë një koncerti intim të Ryuichi Sakamoto në Nju Jork. Performanca shënoi paraqitjen e parë publike të kompozimeve të reja async të Sakamotos, i vlerësuar si njëri nga albumet më të mira të vitit 2017 nga revistat prestigjioze si Rolling Stone dhe Pitchfork.

“T’i japim fund patriarkalitetit” thotë zëshëm përmes megafonit artistja Silvana Imam dhe qindra duar nga publiku brohorisin në miratim. Këndimet e saj kanë fokus të madh në identitetin e saj seksual, politikë dhe prapavijën e saj  prej një emigranteje. Film SILVANA, nën regjinë e  Mika Gustafson, Olivia Kastebring dhe Christina Tsiobanelis, është për këtë feministe, duke na i treguar dy karakteret e saj – pasigurinë dhe arrogancën.

Washed by the Moon nga artisti gjerman-britanik Dan Shutt, është një kremtim i këndimit polifonik të Shqipërisë dhe aftësisë ripërtëritëse të traditës përballë ndryshimeve të pashmangshme. Këngëtarët e Këngës Labe nga të tri gjeneratat e shpjegojnë lidhjen e tyre të thellë shpirtërore me dhe përmes këngëve të tyre.