04-12 AUGUST / PRIZREN, KOSOVO

 

04-12 AUGUST / PRIZREN, KOSOVO

DokuPhoto

Jemi shumë të gëzuar të shpallim programin e fotografisë DokuPhoto, që këtë edicion me krenari do të shënohet përmes një bashkëpunimi me Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi në Shkodër.

Arkiva e fotografive të Marubi kap dhe dokumenton ngjarje nga historia e trazuar e Shqipërisë (1856-1959) dhe përfshinë fotografi fascinuese të ngjarjeve të ndryshme publike, ritualeve shoqërore, kryengritjeve në malësi që mbulojnë pikëpamje historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike.

Një përzgjedhje e fotografive të kuruara nga koleksioni i gjerë i muzet prej 500.000 negativë, që përfaqëson tre breza fotografësh, do të paraqiten përmes aktiviteteve të ndryshme që do të organizohen përgjatë festivalit. Programi përfshinë një ligjeratë me drejtorin e muzeut, punëtori dhe ekspozitë street art në hapësirat e qytetit, një punëtori për fanzine si dhe ekspozitë video-mapping, duke sjellë për herë të parë në Prizren një shiqim unik të këtij koleksionit fantastik.

PROGRAMI:

 

5&6 Gusht
STREET ART PUNËTORI & EKSPOZITË
Muzeu Kombëtar i Marubit do të organizojë një punëtori të street art, duke riaktivizuar arkivin e fotografive në rrugët e Prizrenit, për ti dhënë jetë dhe bërë pjesë të panoramës së qytetit. Dita e parë e seminarit përfshinë një ligjeratë interaktive teoriko-multimediale mbi kulturën e street art. Të udhëhequr nga artisti Ergin Zaloshnja, pjesëmarrësit do të ri-adaptojnë imazhet e arkivës në muret e Prizrenit në ditën e dytë të punëtorisë, përmes metodës sticker art, duke krijuar një ekspozitë të hapur si një dhuratë për qytetin.

Punëtoria është e hapur për studentë dhe artdashës (16-25 vjeç). Aplikoni për të marrë pjesë këtu.

 

7 Gusht
MUZEU QË NDRYSHON NJË QYTET: Bisedë me Luçjan BedeniN
Në një dialog mes trashëgimisë kulturore të së shkuarës dhe Muzeut të ri të Fotografisë “Marubi”, drejtori i këtij institucioni Luçjan Bedeni vjen të na prezantojë projektet më të reja të një “muzeu që ndryshon një qytet”, si vazhdimësi e misionit të Marubëve dhe përmes programeve të ndryshme të cilët nga njëra anë sjellin më afër historinë e të parës studio fotografie shqiptare e nga ana tjetër kërkojnë të sensibilizojnë më të rinjtë, ata që fotografinë e shohin si një instrument komunikimi të përditshëm, ndaj rëndësisë së ruajtjes së vlerave të kësaj trashëgimie dhe tejçimin e tyre në brezat e ardhshëm.

9 Gusht
PUNËTORI FANZINE
Pjesëmarrësit e rinjë do të mësojnë rreth koleksionit të muzeut duke eksploruar temat e dy ekspozitave të fundit të tij: ‘Manipulim’ dhe ‘ Rroftë!’. Udhëhequr nga artistja Blerta Hocia, ata do të përdorin detaje, do të zmadhojnë imazhet dhe do të bëjnë kolazhe për të shprehur vizionin e tyre në një fanzinë.

Punëtoria është e hapur për studentë dhe artdashës (16-25 vjeç). Aplikoni për të marrë pjesë këtu.

11 Gusht
EKSPOZITË VIDEO-MAPPING
Kurorëzimi i bashkëpunimit të DokuFest dhe Marubi do të jetë ekspozita video-mapping e koleksionit të muzeut, që do të kthej sipërfaqen e një ndërtese qendrore të Prizrenit në një ekspozitë dinamike të fotografisë.