02 – 10 August 2019
Edition XVIII

02 – 10 August 2019
Edition XVIII

Pasqyrë, Pasqyrë: Kapitulli 2

August 8th, 2018

Në DokuFestin e këtij viti, Prizreni është i mbuluar në copëza reflektuese dhe një pasqyrë e thyer dhe e vjetër ka një tregim për të treguar nga qyteti.
Lexoni kapitullin një këtu dhe ndiqni prapë çdo ditë deri në fund të festivalit derisa tregimi shpaloset.

Mëkatari dhe Besimtari

Qyteti është vërtetë qytet kur mëkatari dhe besimtari ecin bashkë rrugëve të tija me kalldrëm. Prej drejtimeve të kundërta afrohen, e përshëndesin njëri tjetrin, dhe kështu vërejnë diçka të njohur në fytyrat e njëri tjetrit. “Mbase”,  ulëriu Qyteti nëpërmjet rrugëve të ngushta të tij, “gjatë gjithë kësaj kohe keni qënë duke ecur nëpër hapat e njëri tjetrit”.

“S’ka shanca”, tha besimtari, “si guxon të më krahasosh me atë harbut të pështirë? Të gjitha pasuritë i kumbi në kumar. Krejt dhembjet me raki i ka zhytë, e me të dashurit e tij i ka përmbytë. Me gënjeshtra e ka nxjerrë të vërtetën, ka vjedhur prej hajnave dhe vet Dreqin e ka mashtruar. Madje thonë se edhe e ka vrarë njërin, vetëm për ta pa të lyer në gjak! Unë as që i afrohem atij përbindëshi”.

E as mëkatarit s’ju bë qejfi. “Si guxon të na konsiderosh si të barabartë?”, tha ai. “Tymi i zi t’i çorroftë kalldrëmat”. Kur tjetri është i kërrysur si top, tek dergjet nga rënia e madhe, dhimbja bëhet e papërballueshme kur tjerët tallen me fatkeqësitë e tij dhe ja kujtojnë përsosmëritë e të tjerëve. Disfatat e mëdha asnjëherë nuk ke nevojë t’u përkujtosh.

Dhe Qyteti, si qytet, i kallxon të gjitha. Besimtari bënë mëkate, i verbuar nga lutjet e vazhdueshme. Mëkatari beson se mbase me veprat e mira që bënë kohë pas kohe mund të fitojë pikë shtesë për ta arritur atë vendin special. Të njejtin vend në ndjekje të së cilit besimtari braktisi gjithkënd dhe gjithçka: Krejt pasurinë e kishte bërë rrush e kumbulla veç për t’iu afruar, e prapëseprapë larg mbeti.

“Thjeshtë nuk është ashtu”, tha mëkatari dhe besimtari menjëherë u pajtua se asgjë s’mund t’i binte bashkë natyrat e tyre të kundërta, përveç këtij mospajtimi të përbashkët.

“E vërtetë”, u përgjigj Qyteti, “asgjë s’ju lidhë, përveç pasionet që i drejtojnë jetët tuaja dhe gëlltitin gjithçka rreth jush”.

Dhe Qyteti, si qytet, i di të gjitha. Sepse ishin rrugët e tij të ngushta që nga i njëjti kallëp i krijoi të dytë, për të kërkuar shpengim, për të ecur të njejtët hapa në drejtime të kundërta, si dy imazhe në anë të kundërta të pasqyrës.

Dhe në ndjekjet e tyre — mëkatare dhe të devotshme — ata harrojnë dhe braktisin krejt, të verbuar nga pasioni për manitë e tyre. Një qytet që është vërtetë qytet të bënë mëkatar dhe besimtar.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha