04-12 AUGUST / PRIZREN, KOSOVO

 

04-12 AUGUST / PRIZREN, KOSOVO

NGA BREGU PERENDIMOR NË ESTONI – NDËRMARRËSJA PALESTINEZE QË PO I SHPËRFILLË KUFIJTË

Fotografia nga Fikret Ahmeti/ Kosovo 2.0

August 13th, 2016

Nga Jonny Wrate/ Kosovo 2.0

“Prizreni duket si një kafe e madhe”, thotë Lana Mansour, me sy të ndezur. Ndërmarrësja palestineze është këtu vetëm për dy ditë, por veç se ka filluar t’i pëlqejë vendi. “Ma kujton shumë vendlindjentime”, shton ajo. “Është si një bllok i shtëpive të rreshtuara, dhe njerëzit thjeshtë enden lart e poshtë; është shumë chill”.

Mansour është njëra prej folëseve në DOKU:TECH 2016. Ajo e prezantoi historinë e saj të suksesit si bashkëthemeluese e BOLD Gadgets; kompania teknologjike që ajo e nisi me partnerin e saj në biznes Ismat Tuffaha në vendlindjen e tyre, në Palestinë, tani i ka transportuar ata në Estoni, e së shpejti do t’i çojë në Berlin.

Vendlindje të saktë ajo e ka Qalqilya, një qytet të vogël në Bregun Perendimor që ajo e përshkruan si “sa gjysma e Prizrenit me madhësi’. Por edhe ajo edhe Tuffaha aktualisht jetojnë në Tartu, pasi që janë duke shfrytëzuar programin inovativ të rezidencës elektronike në Estoni, sepse ky program u lejon atyre qasje në të gjitha përfitimet e udhëheqjes së një biznesi brenda BE pa patur nevojë për shtetësi.

Ngritja e tyre në industri erdhi para pak më shumë se një viti meBoldKnot, një mbushës portativ i telefonit me hyrje të USB që montohet në çelsa dhe duket si një lidhëse e këpucëve me ngjyra të ndezura i bërë në formë topi. Duke kërkuar që t’i mbledhin 15,000 dollarë në Indiegogo, BoldKnot i mblodhën 69,791 dollarë.

Suksesi, sigurisht, gjithmonë është më i lehtë në teori. “Izraeli e kishin një plan për mur aparteidi dhe u zbatua plotësisht në Qalqilya”, thotë Mansour. “Ishte qyteti i parë ku u zbatua [ky plan]”.

Në qershor 2003, kufiri izraelit i Bregut Perendimor u ngrit rreth qytetit – në formë të një ‘muri të sigurisë’ të betonit, 8 metra të lartë, me kulla çdo 50 metra. Vetëm një hyrje është për në qytet, një pikë kontrolli e ushtrisë. Ky mur i ndanë mbi 40,000 banorë të pjesës së mbetur të Bregut Perendimor, dhe pjesën më të madhe të tokës së dikurshme bujqësore të tyre, e të mos i përmendim edhe vendbanimet e paligjshme që janë të ndërtuara mbi to.

“Nuk ka jetë atje”, thotë Mansour. “Ka vdekur, fatkeqësisht. Njerëzit atje janë ambicioz, e me talent, por nuk mund të bëjnë shumë. Nëse Izraeli vendosë që të ketë mbyllje ose diçka të tillë, bëhet edhe më e vdekur, kështu që me të vërtetë nuk është kënaqësi të jesh atje”.

Ajo shkoi për të studiuar Letërsi Angleze në An-Najah University në Nablus, ku përfundoi duke punuar për disa projekte të reja. “Kisha një pasion për të krijuar dekorime për çelsa me lidhëse të këpucave me ngjyra të ndezura; i bleja lidhëset dhe krijoja fjongo dhe nyje me to. E dikur shoku im [Tuffaha] po punonte në një projekt teknologjik dhe tha, ‘ndoshta mund t’i marrim dizajnet e tuaja dhe t’i shtojmë'”, thotë ajo. “Nuk e dija as në çfarë po punonte! Isha studente e letërsisë, por thash ‘pse jo? të provojmë diçka të re'”.

Frymëzimi i Mansour për BoldKnot erdhi nga pasioni i saj për krijim të dekorimeve për çelsa prej lidhëseve të këpucëve gjatë kohës kur ishte në universitet. (Foto nga Lama Mansour).

Për shkak të situatës politike në Palestinë, edhe ambiciet modeste dolën të jenë mjaft sfiduese. “Skena e bizneseve të reja është shumë e vogël në Palestinë dhe shumica është e përbërë prej programeve kompjuterike. Ne ishim e vetmja kompani që merret me pjesë elektronike”, kujton ajo. “Palestina nuk e kishte asnjë 3D printer, kështu që nuk kishim mundësi as të krijonim prototip. U detyruam që të importojmë gjëra prej jashtë vendit”.

Kufizimet e lëvizjes së të mirave materiale në territoret e okupuara nga Izraeli kërkojnë që të mirat palestineze të kontrolloheshin disa herë, dhe shpeshherë ato mbahen në depo për periudha të gjata. Zëvendës ministri i ekonomisë së vendit Abdel Hafiz Nofal vlerëson se kjo vonesë e rritë kosotn e tregtisë për 40 përqind.

“Çdo gjë që vjen duhet të shkojë nëpërmjet Izraelit, dhe mbetet aty për 40 ditë në kufi, në doganë, dhe nëpër kontrolla”, thotë Mansour. “Pra me çdo përsëritje të këti cikli, prisnim nga 40 ditë. Ishte marrëzi”.

BOLD Designs nuk ishte sipërmarrja e parë e Mansour ose Tuffaha. Ata më parë e kishin themeluar Plumeria, një kompani të re të ushqimit që shiste produkte vendore si djath dhe ullinj në tregje më të gjëra dhe jashtë vendit. “Por pastaj përsëri me kufizime në kufi”, tha ajo me keqardhje. “I kishim disa partneritete të mrekullueshme me prodhues, dizajne shumë të mira, brende të mira, gjithçka, por gjithçka shkoi kot. Nuk ishte e lehtë që t’i marrim lejet për të filluar shitje në tregje ndërkombëtare”.

Pika kthyese e çiftit erdhi kur e gjetën një akselerator të kompanive të reja në Estoni të quajtur BuiltI. Pasi u zhvendosën në Tartu, dhe pas dy viteve plot punë, ata e lansuan fushatën e tyre të suksesshme në Indiegogo. “Kur ndërruam vend së pari, shumë gjëra po ndodhnin me kompani”, kujton ajo, “nuk kishim kohë as për të shikuar rreth vetës e për t’u njoftuar me njerëz”.

Por nuk ishte vetëm udhëheqja e biznesit që u lehtësua kur u futën në BE. “Për herë të parë kishim mundësi që të lëviznim lirshëm, të udhëtonim lirshëm, dhe të bënim gjithçka lirshëm, të blenim gjëra online; posta i transportonte gjërat për vetëm dy ditë”.

Por Mansour është duke e pritur me ëndje hapin e ardhshëm në Berlin. “Është ftohët shumicën e kohës [në Tartu], dhe shumë qetësi”, thotë ajo. “Është mirë nëse do vetëm të përqendrohesh në punë, sepse nuk ta tërheqë vëmendjën diçka tjetër. Nuk ka asgjë tjetër për të bërë pos punës, por nuk është edhe aq i mrekullueshëm për jetë sociale”.

Mansour thotë se organizimi i biznesit të saj ishte shumë konsumues, pasi që i la shumë pak kohë për jetë sociale. (Foto nga Lama Mansour).

Ajo nuk është anëtarja e parë në familjen e saj që po ndërton jetë jashtë Palestinës. Babai dhe dy vëllezërit e saj jetojnë në Dubai, ku edhe u lind ajo, ndërsa një motër tjetër është gazetare në Paris. Sidoqoftë, ajo thotë se komuniteti në Palestinë është shumë konservator, dhe as ajo, e as bashkë-themeluesi tjetër i kompanisë së tyre, nuk gjetën shumë mbështetje.

“Është e zakonshme që vajzat të jenë mësuese e djemtë të punojnë për ndonjë firmë të inxhinierisë a diçka të tillë”, thotë ajo. “Kompanitë e reja nuk janë shumë të zakonshme atje. E kështu prindërit më thonin ‘çka dreqi je duke bërë? Kjo është marrëzi. Gjeje ndonjë punë'”.

Edhe industria e bizneseve të reja doli të mos ishte në dispozicion kur iu nevojit atyre. “Para se të shkonim, i pyetëm të gjithë për mbështetje, akseleratorë dhe inkubatorë, të gjithë në skenën e teknologjisë… askush nuk na ndihmoi. Askush nuk besonte në krijesën tonë”, thotë ajo. “Pastaj kur u kthyem për të folur në konferenca e për të mbajtur workshop-e me ndërmarrës vendas, papritmas janë shumë të interesuar, dhe mbeta disi ‘okej.. tani jeni të interesuar'”.

E familja? “Tani më thonë ‘jemi tepër krenarë me ty! Je më e mira! Je si shpikëse!'”, thotë ajo duke qeshur. “Por babai im nuk është i lmtur. E dua shumë babain tim, është njeri shumë i mirë, por ai nuk mendon që duhet të jetoj vetëm në Evropë. Ai do që unë të kthehem e të martohem. I kemi martesat tradicionale në Palestinë, janë shumë old school”.

Tani që ajo dhe Tuffaha kanë arritur sukses ndërkombëtarisht, ajo është e interesuar që t’i ndihmojë tjerët që duan t’i ndjekin hapat e saj. “Pasi lansuam fushatën, mediat shkruan për të shumë, e kështu nga 10 njerëz në ditë më vinin duke thënë ‘kemi një ide interesante, na trego se si e bëtë këtë fushatë më mbledhje të fondeve nga publiku, duam ta bëjmë të njejtën gjë'”, thotë ajo, “Jam munduar që t’i ndihmojë deri më tani por nuk kanë qenë aq të suksesshëm asnjëri”.

Ajo beson se një prej problemeve është se jo boll njerëz kërkojnë frymëzim jashtë vendit, ose nuk vendosin synime të larta. Nga mënyra se si flet Mansour, është e qartë se ajo dhe Tuffaha kanë bërë poaq përpjekje për fushatën e BoldKnit në Indiegogo sa edhe në vet produktin.

“Por jam e lumtur që gjithnjë e më shumë njerëz po frymëzohen dhe po janë më të vendosur për të nisur biznese të reja e për të mbledhur fonde publike”, thotë ajo. Sa për vete, ajo nuk sheh të ardhme në vendlindje. “Është vështirë të udhëhiqet një kompani nga Palestina. Nuk mund t’i kontrollosh kufijtë, nuk mund të kesh kontroll në vendime. Ke shumë kufizime”, thotë ajo.

E diplomën në letërsi? “Disertacionin e kisha për ‘simbolizmin dhe kuptimin e ujit në The ëasteland [nga T.S. Elliot]. Mendoj se është e padobishme”, thotë duke ofsharë, e pastaj duke qeshur. “Pse ta studiojë ujin në The ëasteland? E dua letërsinë ende, por e kam përfunduar atë kapitull”.

Tani si duket po nis një kapitull i ri. Para se të zhvendoset në Berlin, Mansour do të vizitoj linjën e re prodhuese të BOLD Gadgets në Kinë, dhe ajo bashkë me partnerin e saj planifikojnë që të lansojnë nga një produkt të ri çdo vit. Kur e pyetën se ku e sheh vetën pas 20 viteve, pasi e vret mendjen pak, përgjigjet “në pension”, dhe buzëqesh përsëri. “Në një plazh me miliona në llogari bankare. Këtë e dua, prandaj e nisa gjithë këtë”.

Kosovo 2.0 është partner zyrtar medial DokuFest-it. Ky artikull është pjesë e një serie shkrimesh të shkruara gjatë edicionit të sivjetem të festivalit.