04-12 AUGUST / PRIZREN, KOSOVO

CALL FOR ENTRIES IS NOW OPEN

 

04-12 AUGUST / PRIZREN, KOSOVO

CORRUPTION — THE GROWING CANCER

timthumb (12)

Fotografia nga Atdhe Mulla

August 13th, 2016

Nga Valmir Mehmetaj/ Kosovo 2.0

Koha nuk do ta shërojë korrupsionin, dhe përderisa ne nuk bëjmë diçka në lidhje me të, ai do të vazhdojë të rritet si kancer, duke mbytur të gjithë shoqërinë dhe rrezikuar të ardhmen e fëmijëve tanë. Kjo është e gjitha që DokuFest është munduar të transmetojë tek të gjithë vizitorët e festivalit këtë vit, përmes paneleve, të ftuarve special dhe programeve të filmave të kuruar.

Në mbledhjen e përvjetshme që mbahet çdo vit në dhjetor, organizatorët vendosin për temën e festivalit të ardhshëm.  Dhjetorin e kaluar, duke parë që korrupsioni ka zënë rrënjë dhe është në rritje në një shkallë alarmante, ata vendosën jo vetëm që ta bëjnë temë të festivalit, por ta intensifikojnë programin krahasuar me vitet e kaluara, duke e luftuar atë nga të gjitha frontet.

“Të gjithë ne jemi bashkëpunëtorë nëse nuk reagojmë”, tha drejtori ekzekutiv i Dokufestit, Eroll Bilibani për K2.0. “Të githë duhet të fillojmë të mendojmë ndryshe  që në të ardhmen të mos i fajësojmë të tjerët për rrëmujën, por të marrim përgjegjësi si një shoqëri e tërë; prej njerëzve të rëndomtë deri tek institucionet publike, mësuesve në shkolla e deri tek bizneset private, e lëre më vendimmarrësit  nga qeveria.

Eroll Bilibani, drejtori ekzekutiv i DokuFestit.

Fjala korrupsion është në gojën e çdonjërit në Kosovë. Mundesh ta lexosh dhe dëgjosh çdo ditë; ndeze televizionin, kyçu në Facebook, hape gazetën ose fillo bisedën dhe shanset janë që kjo fjalë të shfaqet. Aq shumë flitet, që sipas Bilibanit e ka humbur kuptimin e vërtetë, duke e bërë atë të parëndësishëm.

“Fjala korrupsion këtu është banalizuar (deri në atë pikë) sa që njerëzit mendojnë se është normale kur e dëgjojnë atë’’, tha Bilibani. “Korrupsioni atë, korrupsioni këtë, dhe po ashtu rrjetet sociale kanë ndikuar që njerëzit të flasin (për korrupsion) pa lënë ndonjë përshtypje tek ta. Kështu që ne menduam se ndoshta duhet ta ndërrojm qasjen.

Folur artistikisht, festivali ka përcjellur kuptimin e vërtetë të fjalës “korrupsion” dhe dëmin që shkakton ai tek shoqëria përmes një vepre të artit vizual.

Daniel Mullory, një regjisor mjaftë i arritur dhe fitues i tre çmimeve Bafta, ka ndihmuar me krijimin e një video paralajmëruese e cila paraqitet para fillimit të shfaqjes së çdo filmi në festival.  E titulluar “Florid Deceline” fillon me një trëndafit të çelur duke marrë frymë, i cili më pas vyshket duke nxjerrë frymën.

“Doja të krijoja diçka abstrakte e cila do të prezentonte ngulfatjen e popullatës së prekur nga korrupsioni. Korrupsioni shpesh kalon pa u vërejtur, mund të jetë frikësues dhe i vetmuar për ata që kanë rënë në kurthin e tij, dhe shpesh kalbet nga brendësia në sipërfaqe, ose nga koka e poshtë”, Mulloy tha për K2.0, duke theksuar se kjo është posaçërisht shqetësuese për një shoqëri si kjo e Kosovës. “Të gjitha shoqëritë dhe shtetet janë të prekura nga korrupsioni. Por, për vendet që ende janë duke u rimëkëmbur nga lufta ose nga një regjim ekstem, popullata e të cilëve ka qenë nën presion të tmerrshëm, për këta qytetarë ndoshta gjurmët e korrupsionit janë edhe më të dhimshme dhe të rënda.

DokuFesti ka krijuar një program special të filmave të quajtur, “Pushteti, Korrupsioni dhe Gënjeshtrat”, me filma dhe dokumentarë që po shfaqen gjatë gjithë festivalit. Bilbani i tha K2.0 që DokuFesti ka dashur që të adresojë çështjen e korrupsionit thellësisht.

“Ne kemi organizuar një numër shumë të madh të paneleve, dhe i kemi ndarë në dy lokacione; në Hamam edhe në Lidhjen e Prizrenit, për të mos shkuar me atë sistemin klasik të konferencave ku njerëzit folin, i sjellin do rekomandime edhe harrohet ai muhabet.” Në vend të kësaj, Bilbani tha që ata e kanë prekur çështjen nga të gjitha këndet, duke kërkuar zgjidhjet më të mira, vet-reflektime, dhe duke sjellur shembuj nga regjioni dhe përtej në mënyrë që të shkaktojë reagim.

Panelistët në diskutime përbëheshin nga kosovarë të ndryshëm, njerëz nga rajoni dhe më tej. Programi filloi me “Pushteti, Korrupsioni dhe Gënjeshtrat”, e cila pasqyroi një debat rreth fuqisë së gënjeshtrave të atyre që kanë pushtet. Për ta kontekstualizuar me rrethanat në Kosovë, ekonomisti Lumir Abdixhiku nga Instituti RIINVEST ishte i ftuar të ishte pjesë e panelit.

(Fotografia: Somer Spat).

Abdixhiku tha se në terma ekonomik, korrupsioni në Kosovë ka shënuar rritje pesë herë më të madhe se investimet e huaja në Kosovë, pesë herë më shumë se donacionet e jashtme dhe pesë herë më shumë se nga të ardhurat që vijnë nga diaspora. Ai kryesisht i fajësoi partitë politike që nuk e shohin korrupsionin si diçka që duhet të luftohet, por si garë se kush duhet të përfitojë më shumë nga vet ai.

Megjithatë, Abdixhiku insistoi se qytetarët po ashtu mbajnë përgjegjësi  mbi shpatullat e tyre për korrupsionin endemik, dhe citoi reagimin ezbulimit të përgjimeve të fundit në Kosovë. Është një sekret publik që e gjetëm përmes përgjimit dhe nuk pati reagim”, tha ai. “Nuk i kuptoj qytetarët për këtë apati. Një qytetar 20 vjeçar ka gjasa që të mbesë pa punë gjatë gjithë të njëzetave të tij — I dëgjuan përgjimet, e shohin se e ardhmja e tyre po vidhet dhe prapë nuk reagojnë.

Disa çështje që gjithnjë janë të përcjellura nga afër me akuza të rënda për korrupsion kur futen në diskursin publik në Kosovë— sikurse privatizimi i aeroportit “Adem Jashari”, ndërtimi i ‘Rrugës së Kombit,’ dhe privatizimi iKompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike(KEDS), —  janë diskutuar në panelin e “1 Minute sStorie” (Storiet 1-minutëshe).

Shembujt rajonal të mobilizimit të shoqërisë civile për të rezistuar dhe protestuar paqësisht kundër korrupsionit, nepotizmit dhe veprimeve tjera të dyshimta qeveritare janë prezantuar në panelin e së mërkurës,Rrebelim i Përditshëm. Folësit e ftuar ishin Artan Sadiku nga lëvizja “Solidarnost” (Solidariteti) nga Shkupi, Ksenija Radovanovic nga “Ne da (vi) mo Beograd” (Nuk e japim Beogradin) nga Beogradi, dhe Hajrullah Çeku, një nga aktivistët më të shquar në Kosovë, i cili drejton organizatën e shoqërisë civile me bazë, “Ec ma Ndryshe”.

(Fotografia: Somer Spat).

“Do t’i sjellim pra dy modele shumë interesante të rajonit se cka bën shoqëria civile në rajon, se si ka arritur t’i mobilizojë njerëzit në protesta paqësore për disa projekte të mëdhaja të qeverisë”, tha Bilibani duke ofruar dy shembuj të rasteve të tilla. “Si për shembull lëvizja “Nuk e japim Beogradin”, e cila ka arritur t’i mobilizojë qindra mijëra njerëz nëpër rrugët e Beogradit për ta kundërshtuar projektin megaloman të qeverisë qëndrore edhe asaj lokale të kryeqytetit serb.

Po ashtu do ta kemi Artan Sadikun prej Shkupit i cili ka qenë një prej bartësve të lëvizjes “Revolucioni me ngjyra” dhe dihet për një kondicion maratonik që e kanë pas për të protestuar, kanë qëndruar në çadra dhe vazhdojnë të qëndrojnë e të protestojnë”.

Korrupsioni nuk lidhet me kufij; është problem i gjithëmbarshëm, industri e dyshimtë. Sidoqoftë, disa shtete kanë arritur ta kontrollojnë dhe zvoglojnë hovin e tij.

Smari McCarthy, ekspert i çështjeve të korrupsionit i cili punon për “Organized Crime and  Corruption Reporting Project” (OCCRP) dhe njëri nga panelistët e diskutimit “Power Corruption and Lies” i tha K2.0 se sistemi bankar na tregon sesa i madh është problemi. “Nëse 13% e pasurisë botërore është një formë e korrupsionit ‘[sistemi bankar], atëherë kemi një problem të madh që duhet ta rregullojmë,” i tha ai K2.0.

McCarthy argumenton se mënyra më efektive si zgjidhje për luftimin e korrupsionit është rritja radikale e transparencës së shërbimeve qeveritare, duke ua pamundësuar të përfshihen në sjellje korruptive. “Bëji dokumentet e qeverisë publike [të hapura] ashtu që zyrtarët e kanë të vështirë të përfshihen në korrupsion”, tha ai. “Por, po ashtu ekspozoni gjërat sikurse kushtet e marrjes së huasë, huatë e mëdha të korporatave të marrura nga bankat, dhe gjëra sikurse pagesa e tatimeve; ndonjë gjë sikur ajo që zvoglon fuqinë e manovrimin të akterëve të korruptuar për të bërë transaksionë me shuma të shkallës së lartë”.

McCarthy beson se ulja e të ardhurave dhe ulja e pabarazisë financiare  janë po ashtu faktorë të rëndësishëm. “Kjo në fakt nënkupton zvogëlimin e diferencës së cilësisë së kushteve ndaj qasjes në kapital, qasjes në mirëqenje, qasjes në drejtësi etj”, agrumenton McCarthy. Sepse kur disa njerëz kanë qasje më të fuqishme në këto gjëra, e posaçërisht në aspektin financiar, por edhe qasje në sistemin gjyqësor, atëherë ata janë më të prirur që të jenë viktima të korrupsionit. Padyshim që edukimi është faktor i rëndësishëm në këtë aspekt, por jo dhe aq i madh sa edhe kushtet ekonomike. Kështu që zvogëlimi i pabarazisë në të ardhura është njëri nga faktorët  kryesor.

Korrupsioni, nepotizmi dhe neglizhenca janë bërë pjesë e zakonshme e kulturës në Kosovë, por DokuFest 2016 është përpjekur ta rikthejë shqelmimin e tij. Tani, sfida është është që aktivizmi të vazhdojë pasi që ngjarja më e madhe kulturore e Kosovës është shtyer deri për vitin tjetër.

Kosovo 2.0 është partner zyrtar medial DokuFest-it. Ky artikull është pjesë e një serie shkrimesh të shkruara gjatë edicionit të sivjetem të festivalit.