02 – 10 August 2019
Edition XVIII

02 – 10 August 2019
Edition XVIII

DEFEKTET KOLONIALE, AFERA TË KOKLAVITURA

June 25th, 2019

Teprica koloniale vazhdon të ekzistojë në periudhën post-koloniale në të cilën jetojmë. Në kohët e medias sociale dhe realitetit virtual, ballafaqohemi me interpretime politikisht të sakta të Lindjes, Perëndimit, Veriut dhe Jugut. Jugut Global. Sado që dallimet kulturore, stereotipet, hierarkitë sociale dhe shprehitë e vjetra mbesin të paprekura ne vazhdojmë t’i referohemi globalizmit dhe transnacionalizmit. 

Përmes një serie dokumentarësh provokues, ky program eksploron gjurmët e formave të ndryshme koloniale të cilat vazhdojnë t’i përndjekin shoqëritë sot në forma të mbështjella rreth diskursit racor, klasor, etnik dhe religjioz, nganjëherë të buta e nganjëherë më të egra. Programi synon të negociojë konceptin e ” natyrës së vërtetë” që kemi ne si njerëz, qytetarë dhe, anëtarë të komunitetit.

Të vërtetën e kujt jemi duke e parë? Cili pretendon, e cilit i luhet loja? Kush mashtron kë, kush është në kurth dhe kush është i fuqizuar? Dhe ku qëndrojmë ne si audiencë: të vërtetën e kujt jemi të detyruar ta gjykojmë? Pse e vërteta e tjetrit na bën të ndihemi jo rehat?

Me një rrëfim  mjeshtëror dhe një pikëpamje të qartë e delikate që lë hapësirë për gjithfarë nuancash, filmbërësit e këtij programi na nxisin ta fshehim gjykimin tonë, duke e ditur kompleksitetin e realiteteve në të cilin protagonistët jetojnë. Biznes i vrenjtur, aferë romantike apo dashuri e vërtetë. Na duhet të vendosim.