16.08.2014

    Everyday Rebellion

    everyday2

Nga Kosovo 2.0

“Everyday Rebellion” është një dokumentar pothuajse 2 orë i gjatë, i drejtuar nga vëllezërit Arman dhe Arash Riahi, i prodhuar nga Arash T. Riahi, Michael Seeber dhe Sabine Gruber, me kinematografi të Mario Minichmayr, vëllezërve Riahi dhe Dominik Spritzendorfer.

Filmi garon në kategorinë e dokumentarëve për të drejtat e njeriut dhe shpalos pakënaqësitë e përditshme të një shumice të popullsisë në botë. Këta njerëz vijnë nga anë të ndryshme të botës, por të gjithë kanë diçka të përbashkët. Ata janë kundër sistemit dhe janë të prirur ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet dhe të arrijnë qëllimet e tyre revolucionare duke u mbledhur nëpër anë të ndryshme të botës dhe duke shprehur revoltë përmes mekanizmit të tyre kryesor – rrugës.

Ky film ka për qëllim të dëshmojë se jo domosdoshmërisht protestat e dhunshme janë efektive. Përkundrazi mënyrat kreative për shprehjen e revoltës dhe protestat e padhunshme janë një armë e fuqishmë për të bërë diferencën në botë.

Filmi është një nënvizim i disa prej protestave më me bujë të ndodhura vitet e fundit në botë, duke treguar në këtë mënyrë historinë e aktivizmit, dhe një përshkrim të grupeve aktiviste të cilët janë të vendosur drejt qëllimit të tyre. Mëgjithatë, pasojat janë jo të vogla.

Kjo përshkruhet përmes tri ngjarjeve: lëvizjen “Ocuppy Wall Street” në New York; angazhimin e gjithë një lagjeje në Madrid për të ndihmuar një banorë që të përballojë shumën e madhe të parave të cilat banka i ka kërkuar për apartamentin i cili kishte qenë pothuajse e gjithë jeta e personazhit; dhe në fund lëvizja e grupit protestues Femen, gjegjësisht aktiviteti i Inna Shevchenkor e cila si pasojë e angazhimit në protesta fillimisht largohet nga puna si gazetare, e pastaj më vonë i duhet të largohet edhe nga shteti.

“Everyday Rebellion” ka edhe një narracion rrënqethës, i cili është kryesisht thirrje e bazuar në fakte dhe inkurajim i njerëzve të thjeshtë për të mos pranuar që e ardhmja e tyre të cenohet nga qëllimet e ngushta të grupeve të caktuara.

Nëse doni të shihni më shumë, sigurohuni të mos e humbisni filmin i cili është vendosur për të hapur festivalin Dokufest duke u shfaqur sonte në orën 20:00 në kinemanë Lumbardhi-apo Kino Bahce. Gjithashtu për ata që nuk do të mund ta shohin sonte, ky film do të shfaqet edhe me datë 23 gusht, në të njëjtën orë dhe të njëjtin vend.