“Shkolla dhe Filmi Dokumentar – Promovimi i vlerave demokratike të të drejtave të njeriut përmes filmit” është një projekt i përkrahur nga Ndihma Kombëtare për Demokraci NED dhe i implementuar nga DokuFest.

Projekti, i implementuar në kooperim me partnerin e DokuFest, Festivalin One World të Pragës, i ofron shkollave filma dokumentarë dhe manual metodikë për mësim rreth temave aktuale që kanë të bëjne me të drejtat e njeriut. Përvoja gjatë tre viteve ka treguar se matierialet audiovizuele kanë potencial të jashtzakonshëm për të perçuar mesazhet për nxënësit e shkollave të mesme.

Gjatë vitit 2008 – 2009, për nxënësit e shkollave të mesme të Prizrenit DokuFest organizoi shfaqjen e filmave dokumentar që në përmbajtje prekin temën e të drejtave të njeriut. Ky projekt përfshiu 3.000 nxënës, të cilët përcjellën shfaqjen e filmave dhe shprehën interesim për debatet e organizuara pas emitimit të filmave. Në vitin 2010, NED përkrahu vazhdimin e projektit të ngjashëm, ku përveç nxënësve të Prizrenit  përfshiu edhe nxënësit  e shkollave të mesme të Dragashit, Mamushës dhe Suharekës. Në të njejtën kohë, DokuFest në bashkëpunim me personelin e sistemit të arsimit kosovar publikoi një manual me informata mbi filmat dokumentar dhe përdorimin e tyre si mjet edukimi në shkollat e mesme të Kosovës për çështjet e të drejtave të njeriut.

Në vazhdimin e projektit këtë vit, DokuFest do të promovojë manualin edhe në shkollat tjera të mesme të Prizrenit dhe rrethinën e tij. Gjithashtu, në bashkëpunim me Drejtoratin e Arsimit të Komunës së Prizrenit, drejtorët e shkollave, profesorët dhe nxënësit, do të formohen klubet e filmit në gjimnazin Remzi Ademaj dhe Loyola në Prizren, si dhe gjimnazi Jeta e Re në Suharekë. Shkollave të lartpërmendura do t’u dhurohen paisjet e duhura për shfaqjen e filmave si dhe filmat dokumentar me temën e të drejtave të njeriut. Shfaqjet e filmave, që do të organizohen nga klubet e filmit, do të ndodhin 2 herë në muaj. Pas shfaqjes, do të hapen debate mbi çështjet e trajtuara në filma. Ato kan për qëllim rritjen e vetëdijes së nxënësve në lidhje me çështjet e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e një shoqërie demokratike.

Përpilimi i materialeve për shkolla si dhe kooperimi me sistemin e arsimit, ka bërë që DokuFest të jetë një faktor i rëndësishëm në komunitet duke kontribuar në edukimin dhe duke e rritur vetëdijen e nxënësve kosovar në kuptimin e çeshtjes së drejatve të njeriut.

ned